Nëse udhëheqja e Kinës do të kishte ndonjë pyetje për mënyrën se si administrata Biden do t’i trajtojë mosmarrëveshjet tregtare midis dy vendeve, emërimi i zonjës Katherine Tai si Përfaqësuese amerikane e Tregtisë, është një përgjigje e qartë.
Zonja Tai, me profesion avokate, vjen në këtë post nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për buxhetin, ku ajo ka qenë këshilltare kryesore e tregtisë që nga viti 2017. Para se të kalonte në këtë komision në vitin 2014, ajo punoi disa vjet në Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë të SHBA, ku për tre vjet me radhë ishte këshilltare kryesore për tregtinë me Kinën. Detyra e saj ishte të trajtonte mosmarrëveshjet e SHBA me Kinën përpara Organizatës Botërore të Tregtisë.
Zonja Tai flet rrjedhshëm gjuhën kineze e njeh mirë Kinën, sepse pas diplomimit nga Universiteti Yale jepte mësim anglisht në Universitetin Zhongshan të Guangzhout në Kinë.
Pas emërimit në postin e ri, ajo ka qenë e rezervuar në komente, sepse pret konfirmimin e Senatit. Por duke folur para Këshillit Kombëtar të Tregtisë së Jashtme në fillim të këtij muaji, zonja Tai e bëri të qartë se ajo e sheh marrëdhënien tregtare SHBA-Kinë si një nga faktorët më të rëndësishëm në botën e sotme. Ajo shtoi se bota "është më e komplikuar dhe më e brishtë sot sesa në çdo moment tjetër të jetës sime”.
"Vendi ynë dhe njerëzit tanë përballen me sfida thelbësore për ruajtjen e vlerave dhe pozitës sonë në botë," tha ajo. "Në arenën ndërkombëtare, ne përballemi me një konkurrencë të ashpër nga një Kinë në rritje dhe ambicioze - një Kinë, ekonomia e së cilës drejtohet nga planifikues qendrorë të cilët nuk i nënshtrohen presioneve të pluralizmit politik, zgjedhjeve demokratike ose opinionit popullor."
E peshuar, strategjike, këmbëngulëse
Jason E. Kearns, kryetar i Komisionit të Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA, politikisht i pavarur, e përshkruan zonjën Tai si një "mendimtare strategjik", e cili megjithatë përpiqet t'u qaset vendimeve të vështira pa paramendime se si t'i trajtojë ato.
"Ajo është një dëgjuese shumë e vemendshme," tha zoti Kearns. “Dhe pikërisht me këtë mënyrë ajo u qaset të gjitha problemeve që trajton. Ajo përpiqet të ndërtojë një konsensus të qëndrueshëm dhe mendoj se është shumë e suksesshme.”
Ajo, tha zyrtari, ndërthur një sens të mirë humori me një besim që do t'i shërbejë më së miri në negociatat e tregtisë ndërkombëtare, veçanërisht me Kinën. Ajo e pranon që "Kina paraqet për ne disa sfida shumë serioze", tha Kearns, dhe qasja e saj ndaj Pekinit do të jetë "e peshuar" dhe "këmbëngulëse".
Kjo është pikërisht ajo që shumë kompani amerikane të cilat përpiqen të konkurrojnë në Kinë shpresojnë dhe presin nga zonja Tai.
Nuk jepet lehtë
"Kushdo që mendon se Katherine Tai mund të influencohet lehtë në marrëdhëniet me Kinën e pret befasia", tha Doug Barry, zëdhënës i Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë, me qendra në Uashington, Pekin dhe Shangai. "Ajo është sigurisht njeriu më i kualifikuar për Kinën që vjen në këtë post, me sa di. Ajo i njeh çështjet në thellësinë e tyre. E njeh Kinën nga brenda. Dhe si rrjedhojë, nuk lejon t’ia hedhë askush.”
Sipas zotit Barry, Katherine Tai do të jetë shumë e vetëdijshme për vështirësitë që SHBA kanë pasur në të kaluarën për ta bërë Kinën të respektojë angazhimet që ka ndërmarrë në marrëveshjet e mëparshme tregtare.
"Qasja e Kinës ka qenë kryesisht zvarritje për të zbatuar lëshimet që ka premtuar të bëjë. Zonja Tai do t’i verë Kinës një standard shumë më të rreptë dhe një afat kohor shumë më rigoroz, në lidhje me afatet se kur administrata Biden pret që Kina të përmbushë premtimet e bëra prej vitesh,” tha ai.
Lidhjet e zonjës Tai me Kinën janë të thella. Prindërit e saj kanë lindur në territorin e Kinës, janë rritur në Tajvan dhe kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara. Ajo vetë ka lindur në shtetin Konektikat në vitin 1974, por u rrit kryesisht në Uashington, ku i ati punonte si studiues në Qendrën Mjekësore Walter Reed dhe nëna në Institutet Kombëtare të Shëndetit.
Pasi ndoqi fakultetin juridik të Harvardit, Tai filloi të bënte emër si avokate e çështjeve tregtare, duke punuar në firma të njohura juridike të Uashingtonit para se të punonte për qeverinë.
Njohëse e thellë e çështjeve
Ekspertët e tregtisë e dinë se tek Tai, SHBA kanë një person që i njeh në mënyrë shteruese marrëveshjet tregtare dhe labirintet e juridiksionit tregtar. Megjithatë, nuk janë shumë të qarta janë bindjet e saj personale për atë se çfarë ekuilibri do të gjejë ajo midis zyrtarëve që janë për një tregti me sa më pak kufizime dhe atyre që besojnë se politika tregtare duhet të përdoret për të mbrojtur vendet e punës dhe industritë amerikane nga konkurrenca me vendet ku kostoja e fuqisë piunëtore është e ulët.
Scott Lincicome, anëtar i vjetër në Institutin libertarian Cato, thotë se “përvoja e saj ka qenë kryesisht ajo e një këshilltareje në praparaskenë.” “Dhe kjo e bën të vështirë të dihet me të vërtetë se ku e vendos ajo veten në spektrin ideologjik.”
Në një rast ajo u shpreh: "Politikat tregtare të SHBA duhet të jenë të tilla që prej tyre të përfitojnë amerikanët, komunitetet dhe punëtorët e rregullt.”
"Amerikanët nuk përfitojnë vetëm nga çmime më të ulëta dhe zgjedhje më të madhe nëpër dyqane dhe tregje," tha ajo. "Amerikanët përfitojnë edhe duke patur punë më të mira e me paga më të larta."
Facebook Forum