Lidhje

Gjykatësi Kavanaugh, një hap më pranë konfirmimit


I emëruari i Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh, fitoi dje mbështetjen e anëtarëve republikanë të Komisionit të Senatit për Gjyqësorin. Megjithatë, një element i ri pasigurie u shfaq kur njëri prej senatorëve republikanë këmbënguli për shtyrjen me një javë të votimit përfundimtar për kandidaturën e zotit Kavanaugh, duke i dhënë kohë FBI-së të hetojë akuzat për sulm seksual të ngritura nga profesorja nga Kalifornia, zonja Christine Blasey Ford.

Me një votim sipas linjave partiake, republikanët ia dolën mbanë të dërgojnë kandidaturën e Gjykatësit Kavanaugh për një votim të plotë të Senatit.

Por, Senatori republikan Jeff Flake tha se ai do ta mbështeste zotin Kavanaugh vetëm nëse Senati do ta shtynte votimin me një javë, për t’i dhënë kohën e duhur FBI-së për të hetuar akuzat për sulm seksual të ngritura nga profesorja nga Kalifornia, Christine Blasey Ford.

“Vendi po përçahet me këtë situatë. Megjithëse mendoj se komisioni punoi mirë, sugjeroj të bëjmë një pauzë dhe dhe të sigurohemi që FBI-ja do të kryejë hetime”, tha Senatori republikan Jeff Flake.

Më herët, Senatori Flake u përball në ashensorin e godinës së Kongresit me dy gra, të cilat i thanë se patën qenë viktima të sulmeve seksuale.

Demokratët kanë kërkuar një hetim nga FBI-ja për akuzat e ngritura nga zonja Ford, për veprime të kryera 36 vite më parë dhe të cilat zoti Kavanaugh i mohon. Dëshmia e të dyja palëve ishte emocionale.

Senatori demokrat Chris Coons bashkëpunoi me Senatorin Flake për një kompromis.

“Të tregojmë kështu respekt për viktimat që morën guximin të flasin dhe t’i japim Gjykatësit Kavanaugh mundësinë të provojë pastërtinë e emrit të tij përpara se të bëhet votimi përfundimtar”, tha Senatori Coons.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se u impresinua shumë nga dëshmitë e zonja Ford dhe zotit Kavanaugh.

“Mendoj se dëshmia e saj ishte shumë imponuese dhe duket se është një grua shumë e mirë. Mendoj se edhe dëshmia e Brettit ishte gjithashtu diçka që nuk e kam parë më parë. Ishte e jashtëzakonshme”, tha Presidenti Trump.

Shumica e republikanëve janë të vendosur ta mbështesin kandidaturën e zotit Kavanaugh.

“Nuk ka lidhje me të vërtetën. Kjo është synon shtyrjen dhe shkatërrimin. Nëse e vlerësojmë këtë gjë, atëherë ky do të sjelli fundin për njerëzit e mirë që duan të bëhen anëtar të gjyqësorit”, tha Senatori republikan Lindsey Graham.

Por, demokratët kërkuan që FBI-ja të hetojë akuzat e zonjës Ford.

“Nuk po i japim zonjës Ford as respektin e një hetimi. Ky është gabim. Nuk i shërbejmë drejtësisë kështu”, tha Senatorja demokrate Amy Klobuchar.

Pasojat emocionale të të dy dëshmive ishin të dukshme gjatë seancës së djeshme hetimore.

“Nuk pati fitues në këtë sallë. Asnjë. Pamë vetëm dy njerëz dhe dhimbjen e tyre”, tha Senatori republikan John Kennedy.

Pati më shumë protesta të premten, si në sallën e Kongresit, edhe në shkallët e Gjykatës së Lartë – shenja që emërimi i zotit Kavanaugh vazhdon të elektrizojë një komb të polarizuar politikisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG