Lidhje

Masa policore zyrtareve  për ndërhyrjen pa leje në Grykën e Këlcyrës


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako firmosi disa masa për punonjësit e policisë, të cilët janë gjetur me përgjegjësi administrative dhe penale lidhur me tentativën e një ndërtimi pa leje në Grykën e Këlcyrës nga një kompani private.

Tentativa e ngritjes se një linje të furnizimit me ujë për një fabrikë uji u denoncua nga media dhe shoqeria civile dhe u frenua nga autoritete.

Sipas burimeve zyrtare është shkarkuar nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu si dhe Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara. Nga radhët e uniformave blu është përjashtuar Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës, ndërsa në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, Lorenc Panganika dhe Zëvendës Drejtori Koço Dafa kanë marrë vërejtje me paralajmërim.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë policisë tha se i ka referuar edhe materialet në Prokurorinë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndërkohë hetime po kryhen edhe në Parkun Arkeologjik të Butrintit ku personalitete të fushës së Arkeologjisë dhe Trashëgimisë kanë reaguar ashpër për punimet ndërtimore në Kodrën e Akropolit. Ministria e Kulturës tha se kishte autorizuar një ndërhyrje rehabilituese të një mjedisi që nuk ishte monument kulture për standardizimin e shërbimeve në Butrint, por në zonë u shfaqën pamje të hedhjes së betonit dhe përdorimit të materialeve ndërtuese si tulla dhe hekur.

Reagime ka ngjallur edhe ligjshmëria e punimeve të deritanishme pasi ato janë kryer nga një sipërmarrje që nuk ka licensë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Policia e Sarandës e ka pezulluar ndërtimin ndërkohë që Insepektoriati Kombëtar i Ndërtimit ende nuk ka dhënë një qëndrim për Projektin që po zbatohet i cili është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG