Lidhje

Shkarkimi i Reince Priebus nga posti në Shtëpinë e Bardhë


Gjenerali në pension John Kelly, i cili shërben si Sekretari i Sigurisë Kombëtare, do të zëvendësojë Reince Priebus si shef kabineti në Shtëpinë e Bardhë. Vendimi i presidentit Trump erdhi pas disa ditë tensionesh publike mes zotit Priebus dhe drejtorit të ri të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Anthony Scaramucci.

Presidenti Trump njoftoi të premten pasdite nëpërmjet Twitter-it se kishte emëruar sekretarin e Sigurisë Kombëtare, gjeneralin John Kelly si shef kabineti të Shtëpisë së Bardhë, në vend të zotit Reince Priebus, ndërsa avioni i presidentit ulej në Bazën Ajrore Andrews. Presidenti foli shkurtimisht për gazetarët pasi zbriti nga avioni presidencial:

“Reince është njeri i mirë. John Kelly do të bëjë një punë fantastike. Gjenerali Kelly ka bërë një punë të mirë deri tani, respektohet nga të gjithë. Një amerikan shumë i mirë. Reince Priebus, një njeri i mirë. Shumë faleminderit”, tha presidenti.

Priebus foli për kanalin CNN rreth zëvendësimit të tij:

“Të fillosh nga e para, tani, më ndikon por nuk ka rëndësi, se këto gjëra duhet të shikohen në mënyrë objektive. Nuk mendoj se është gjë e keqe që presidenti të dojë të provojë dikë tjetër. Dhe mendoj se Gjenerali Kelly, i cili do të jetë përgjegjës për punësimin dhe shkarkimin e njerëzve në kabinetin e Shtëpisë së Bardhë, se të gjithë do të raportojnë tek ai...mendoj se do të jetë i suksesshëm në punën e re” tha zoti Priebus.

Shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë është zakonisht krahu i djathtë i presidentit, kontrollon mbledhjet dhe planet për takohet me kreun e Shteteve të Bashkuara.

Gjenerali Kelly, i cili ka një karrierë 40 vjeçare me trupat e Marinsave dhe ka qenë Sekretari i Sigurisë Kombëtare në kabinetin Trump për shtatë muajt e presidencës, e fillon detyrën e tij të re të hënën, më 31 korrik, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Ai do të jetë gjenerali i dytë ushtarak që do të shërbejë si shef i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Ish gjenerali i ushtrisë, Alexander Haig ishte gjenerali i parë në atë post, i cili shërbeu gjatë fundit të administratës së ish-presidentit Nixon dhe fillimit të presidencës së Gerald Fordit pasi Nixon dha dorëheqjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG