Lidhje

Ndikimi i sulmeve të Këlnit tek opinioni


Anketat e fundit tregojnë se mbështetja për partitë politike kundër imigracionit, është rritur në Gjermani pas qindra sulmeve ndaj femrave në Këln, shumica nga grupe emigrantësh.

Ashtu si mijëra refugjatë të tjerë sirianë, Basheer Alzaalanit iu desh të përshkonte në këmbë rrugën përmes Turqisë dhe Evropës Lindore për të arritur në Gjermani. Ai thotë se Gjermania i ofroi strehim:

“Gjermania u bë për sirianët si një nënë dhe në krye të gjithçkaje është Angela Merkel.”

Alzaalan jeton tani pranë Këlnit. Sulmet gjatë natës së Vitit të Ri, mesa duket nga grupe imigrantësh, e nxitën atë të shkruante artikuj në gazeta ku kërkonte ndjesë në emër të refugjatëve. Ai vlerëson reagimin e banorëve lokalë:

“Kisha frikë, pas incidenteve në Këln. Por më pas e pashë se njerëzit kuptojnë, nuk reagojnë në formën veprim-kundërveprim,” thotë ai.

Por sulmet paten pasoja politike. Sipas një ankete, mbështetja për partinë anti-imigracion “Alternativa për Gjermaninë” ka arritur në një nivel të pashembullt, në shifrën 11.5 për qind, në vend të tretë.

Hendrik Rottman është kreu i degës së partisë në Këln:

“Filozofia e ‘dyerve të hapura’ e Angela Merkelit ka sjellë si rezultat një numër jashtëzakonisht të madh emigrantësh dhe azilkërkuesish në Gjermani, disa prej të cilëve janë refugjatë, por shumica është e paregjistruar prandaj nuk e dimë se çfarë po bëjnë këtu”, thotë ai.

1.1 milionë emigrantë erdhën në Gjermani në vitin 2015. Dhe ngjarjet e Vitit të Ri në Këln, e kanë intensifikuar jashtëzakonisht debatin se si dhe madje edhe nëse Gjermania është në gjendje të integrojë kaq shumë vetë.

Autoritetet lokale thonë se është e realizueshme:

“Shumica dërrmuese e refugjatëve që vijnë në Këln, duan të fillojnë një jetë të re dhe të integrohen paqësisht në shoqërinë tonë. Kjo do të thotë shumë punë për ne dhe kemi ende për të bërë që nga kurset e gjuhës dhe të integrimit, gjetja e vendeve të punës. Kjo është diçka relativisht e re për ne”, thotë Gregor Timmer, zëdhënës i Kryebashkiakut të Këlnit.

Në fillim të muajit të ardhshëm, qindra-mijëra vetë pritet të dalin në rrugët e Këlnit për karnavalet e përvitshme. Ka grupe njerëzish që kanë dalë që tani me kostume.

“Ne jemi njerëz të mirë. E shohim që po vijnë më shumë emigrantë dhe e shohim situatën me një sy pozitiv. Nuk do të lejojmë që të na ndryshojnë mënyrën e jetesës dhe do të vazhdojmë të jemi ata që jemi. Kjo është kultura jonë”, - thotë një banore e Këlnit.

Masat e sigurisë janë intensifikuar jashtë mase për karnavalet. Autoritetet e Këlnit janë të ndërgjegjshëm se sulme të tjera si ato të Vitit të Ri, do të kishin një ndikim përtej kufijve të qytetit.

XS
SM
MD
LG