Lidhje

Uria në Afrikë alarmon organizatat humanitare


Gjatë muajve të fundit, sytë e botës janë përqëndruar në Evropën Perëndimore, zgjedhjet amerikane dhe në 100 ditët e para të presidencës së zotit Donald Trump. Ndërkohë, ajo që mund të jetë një nga krizat më të rënda shëndetësore në botë, po fillon të shkatërrojë një numër vendesh afrikane. Thatësira mbi dy vjeçare dhe pasiguria ushqimore e lidhur me konfliktin kanë filluar të shkaktojnë viktima në njerëz dhe mund të shndërrohet në një krizë katastrofike për rajonin.

Organizatat humanitare në mbarë botën po u bien këmbanave të alarmit për pasojat alarmante të urisë në Afrikë.

"Numri i fëmijëve të kequshqyer pritet të arrijë në 1.4 milionë gjatë vitit 2017, duke përfshirë 275.000 raste ekstreme. Kjo është forma më e ashpër e kequshqyerjes, që rrit nëntë herë më shumë shanset e vdekjes nga sëmundje si kolera, fruthi ose malaria," thotë zëdhënësja e UNICEF-it.

Më shumë se dy vjet thatësirash dhe konfliktesh kanë krijuar një krizë në disa vende të Afrikës Lindore, përfshirë Somalinë, Nigerin, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Kenian.

Por organizatat humanitare thonë se kjo mund të parandalohet.

"Bota duhet ta dijë se sa serioz është ky problem. Këto janë konflikte të shkaktuara nga njeriu. FAO, Programi Botëror i Ushqimit dhe agjencitë e tjera humanitare, kanë forcën, strukturën, kapacitetin logjistik, dhe teknologjinë, për të bërë punën. Ajo që na nevojitet janë burimet, ose përfundimin e konflikteve," thotë David Beasley i Programit Botëror për Ushqimin.

Ndihma ushqimore dhe furnizime po dërgohen në shumë nga rajonet e prekura, por ato janë shumë të pakëta dhe për shumë nga ata që janë prekur në Somali, ndihmat janë tepër të vonuara.

"Ne deklarojmë urinë në një zonë për shkak se njerëizt në atë zonë tashmë po vdesin nga uria. Pra, ata nuk do të vdesin, ata tashmë po vdesin nga uria," thotë Jose Graziano i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë.

Organizatat humanitare janë duke kërkuar miliarda dollarë për trajtimin e situatave të rënda.

Rreth 30 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë ushqimore në Jemen, Sudanin e Jugut, Nigeri dhe Somali, por Programi Botëror i Ushqimit thotë se ata kanë burime për të ndihmuar vetëm 8 milionë prej tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG