Lidhje

SHBA, beteja për emërimin e anëtarit më të ri të Gjykatës së Lartë


Uashingtoni po përgatitet për një tjetër betejë të madhe politike në muajt e ardhshëm, ndërsa Presidenti Donald Trump përgatitet të emërojë pasardhësin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy, i cili në fund të muajit korrik do të dalë në pension. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, zoti Trump premtoi se do të emëronte konservatorë të besueshëm në Gjykatën e Lartë, duke theksuar se emërimi i ardhshëm i presidentit mund të ketë ndikim në gjykatën dhe shoqërinë amerikane që do të zgjasë një brez.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ishte qartë në mendjen e Presidentit Trump gjatë një tubimi fushate në Fargo të Dakotës së Veriut.

"Mbani në mend këtë. Ne duhet të zgjedhim një kandidat të mirë për anëtar të Gjykatës së Lartë. Duhet të zgjedhim një person që do të shërbejë për 40 ose 45 vjet".

Presidenti Trump tani duhet të emërojë pasardhësin e gjykatësit Anthony Kennedy dhe ai u bëri thirrje mbështetësve të tij që ta kenë këtë parasysh këtë kur të votojnë në zgjedhjet afatmesme për kongres në nëntor.

"Demokratët duan që gjykatësit të ri-shkruajnë Kushtetutën sipas dëshirës së tyre dhe të heqin Amendamentin e Dytë (të drejtën për armëmbajtje), të fshijnë kufijtë tuaj, të hapin dyert e burgjeve dhe të shkatërrojnë liritë tuaja".

Por grupet liberale të interesit dhe demokratët tashmë po përgatiten për të kundërshtuar kandidatin e presidentit për anëtar të Gjykatës së Lartë.

Ata citojnë rolin kyç të gjykatësit Kennedy në mbështetjen e vendimeve të Gjykatës së Lartë mbi ligjshmërinë e martesave mes personave të të njëjtit seks dhe ruajtjen e të drejtave për abortin.

Ata shqetësohen se një gjykatë më konservatore mund të minojë këto të drejta.

Senatori Chuck Schumer është udhëheqës i demokratëve në Senat

"Kjo është kundër asaj që dëshiron Amerika. Presidenti dhe mbështetësit ideologjikë të një gjyqësori me prirje nga e djathta janë shumë larg pikëpamjeve të popullit amerikan dhe po përpiqen të krijojnë një gjykatë që në shumë mënyra do ta kthejë orën prapa".

Demokratët po kërkojnë shtyrjen e procesit të konfirmimit nga Senati deri pas zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, ashtu siç bënë republikanët me kandidatin e emëruar nga Presidenti Obama në vitin 2016.

Por udhëheqësi i shumicës republikane në senat, Mitch McConnell thotë se ka në plan të fillojë procesin shumë shpejt.

"Ashtu si në raste të tjera të shumta, procesi për të konfirmuar pasardhësin e gjykatësit Kennedy do të bëhet këtë vit. Kandidati i emëruar nga presidenti duhet të shqyrtohet në mënyrë të drejtë dhe nuk duhet të jetë objekt i sulmeve personale".

Republikanët kanë një shumicë të vogël në Senat, por demokratët ende përballen me një betejë të vështirë në përpjekjen për të bllokuar të emëruarin e Presidentit Trump, thotë analisti Allan Lichtman.

"Të them të drejtën, demokratët, megjithatë nuk kanë çfarë të bëjnë. Republikanët kanë shumicën në Senat dhe ata do ta bazojnë votën për kandidatin e ardhshëm për anëtar të Gjykatës së Lartë në shumicën e thjeshtë, e jo në procesin që mund të bllokohet përmes fjalimeve pa mbarim."

Nëse kandidati i dytë konservator i emëruar nga Presidenti Trump konfirmohet për në Gjykatën e Lartë, kjo mund të çojë në një zhvendosje në të djathtë të gjykatës që mund të ketë ndikim për një brez, thotë eksperti ligjor Paul Schiff Berman.

"Kjo ka gjasa ta bëjë Gjykatën e Lartë më konservatore, ndoshta, në të gjithë historinë e saj, në një kohë kur nuk është aspak e qartë se shumica e popullit amerikan ndajnë këto pikëpamje".

Ashtu si presidentët e tjerë para tij, emërimet e Presidentit Trump në Gjykatën e Lartë dhe ndikimi i tyre mund të luajnë një rol të madh në formësimin e trashëgimisë së tij presidenciale shumë kohë pasi ai të jetë larguar nga posti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG