Lidhje

Bisedimet Kerry-Cavusoglu


Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha në bisedimet me Sekretarin e Shtetit John Kerry se Ankaraja ka vullnetin politik për të punuar për një zgjidhje diplomatike në Qipro. Synimi është që të ribashkohet pjesa e kontrolluar nga Turqia me atë të kontrolluar nga autoritetet greke të ishullit.

“Si Këshilltar special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, do të përmendja se bisedimet mund të rifillojnë pas zgjedhjeve në pjesën turke të Qipros”.

Udhëheqësi i qipriotëve turq Dervish Eroglu nuk arriti të dielën të sigurojë fitoren në zgjedhjet presidenciale të ishullit, duke hapur rrugën për balotazh në fund të muajit.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Uashington të martën, zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështesin negociatat e udhëhequra nga OKB-ja për të ribashkuar ishullin.

“Shpresojmë se së bashku, ashtu siç e kam diskutuar edhe me pararendësin e zotit Mevlut, i cili është tani kryeministër, palët do të mund të realizojnë përparim real dhe të qëndrueshëm”.

Zoti Kerry tha se përparimi do të ishte shumë pozitiv për rajonin dhe një mundësi e shkëlqyer për një jetë më të mirë për të gjithë qipriotët.

Vetëm Turqia e ka njohur Republikën e vetëshpallur Turke të Qipros Veriore. Komuniteti ndërkombëtar e konsideron qeverinë greke të Qipros si përfaqësuesen e vetme të përligjshme në ishull.

XS
SM
MD
LG