Lidhje

Stili diplomatik i Sekretarit të Shtetit John Kerry


Kerry Sets Own Diplomatic Style at State Department
Kerry Sets Own Diplomatic Style at State Department
John Kerry i dha fund udhëtimit të tij të parë jashtë vendit si Sekretar Shteti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës pranë Departamentit të Shtetit, Scott Stearns njofton lidhur me stilin diplomatik të Sekretarit të ri të Shtetit dhe se si qëndrimi i tij mund të ndryshojë nga paraardhësja e tij, Hillary Clinton.

Që prej fillimit, John Kerry tha se ishte mëse në dijeni se kishte një punë të madhe përpara si pasardhës i Hillary Clinton-it, e cila ka thënë se shërbimi i tij në Komisionin e Senatit për Marrëdhënit me Jashtë, e ka bërë atë zgjedhjen e duhur për këtë post.

“Ai ka një perspektivë të zhvillimeve ndërkombëtare si rezultat i përvojës së tij, së pari si veteran i sapo kthyer nga Vietnami, që dëshmoi pikërisht para këtij komisioni, deri në kohën kur shërbeu me nder si kryetar i tij”.

Në udhëtimin e tij të parë si sekretar shteti, John Kerry, djalë i një familjeje me karrierë diplomatike, e bëri të qartë angazhimin e tij ndaj burrave dhe grave që zbatojnë politikën amerikane nëpër botë.

“Dua t’ju them se detyra që ju jeni të angazhuar është një prej detyrave më të mëdha në botë dhe tani unë kam privilegjin të jem pjesë e angazhimit tuaj”.

Por si do të ndryshojë John Kerry në postin e diplomatit më të lartë të Uashingtonit nga Hillary Clinton?

Steve Heydemann, në Institutin Amerikan të Paqes, thotë se rivalitetet e hershme të zonjës Clinton me Barack Obamën krijuan presion tek ajo që të tregonte se ishte besnike e presidentit.

“Ajo punoi shumë për të ruajtur perceptimin e konsensusit, megjithëse ne e dimë se kishte dallime të rëndësishme nën sipërfaqe. Duket se Sekretari Kerry ka qënë më i gatshëm t’i kalojë kufijtë e politikës së Uashingtonit, duke u bërë sfidë kufijve të caktuar nga Shtëpia e Bardhë”.

Zoti Heydemann thotë se karriera e zotit Kerry në degën legjislative i jep atij më shumë liri diplomatike.

“Duket se zoti Kerry, duke ardhur në këtë post, pas një karriere të gjatë në Senat, është në një pozitë ndryshe nga Sekretarja Clinton. Ai është më i pavarur dhe më i sigurtë në vetvete”.

Sekretarja Clinton e kaloi pjesën më të madhe të kohës duke përmirësuar marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare të Amerikës në Azi.
Profesorja e Universitetit Amerikan, Pek Koon Heng thotë se zoti Kerry do ta ketë më të lehtë.

“Sekretarja Clinton pak a shumë i ka hapur rrugën Sekretarit Kerry që ai të luajë një rol më të madh në ndikimin që do të ketë politika e jashtme amerikane në muajt e ardhshëm”.

Profesorja Heng parashikon që Sekretari Kerry do t’i japë shtytje politikës së Uashingtonit të ashtuquajtur Boshti Aziatik. Megjithatë udhëtimi i tij i parë zyrtar jashtë vendit kishte për qëllim konsultimin me aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropë si dhe zgjidhjen e problemeve afatgjatë në Lindjen e Mesme.
Ndërsa marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkaura me disa vende janë tendosur si pasojë e luftërave në Irak dhe Afganistan, Steve Heydemann thotë se zoti Kerry ka mundësi që të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Sekretari Kerry ka të njëjtat pikëpamje me Shtëpinë e Bardhë dhe me Sekretaren Clinton lidhur me vlerat e diplomacisë, vlerat e bashkëpunimit me aleatët, rreth shmangies së hapave të njëanshëm, që përcaktuan politikën e jashtme të administratës së mëparshme”.

Sekretari Kerry do të shoqërojë Presidentin Obama gjatë vizitës në Lindjen e Mesme këtë muaj.


XS
SM
MD
LG