Lidhje

Kerry: Iraku, qeverisje gjithëpërfshirëse


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u bëri trysni udhëheqësve kryesorë shiitë të Irakut për të krijuar një qeveri më gjithëpërfshirëse, përballë rebelimit të militantëve suni, të cilët kanë pushtuar territore të gjera në veri dhe në perëndim të vendit.

Kryediplomati amerikan bëri një vizitë të panjoftuar më parë në Bagdat dhe pati një takim prej më shumë se një orë e gjysmë me kryeministrin Nuri al-Maliki, me një klerik kryesor shiit dhe me dy deputetë të rëndësishëm suni.

Ndërsa po dilte nga takimi me udhëheqësin irakian, zoti Kerry i quajti bisedimet "të mira" por nuk dha hollësi.

Sipas zyrës së kryeministrit irakian, zoti Maliki i tha sekretarit Kerry se përparimi i militantëve të ISIL-it përbën kërcënim jo vetëm për Irakun por edhe për paqen rajonale dhe ndërkombëtare. Ai bëri thirrje për goditje ajrore amerikane kundër kryengritësve. SHBA po e shqyrtojnë këtë mundësi, por nuk kanë rënë dakord.

Zoti Kerry diskutoi për Irakun dhe kërcënimin që përbën Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit kur u takua dje me homologët e tij në Egjipt dhe Jordani. Ai u tha gazetarëve në Kajro se nëse irakianët duan një qeveri më gjithpërfshirëse, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë.

TURNEU I SEKRETARIT KERRY

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry vizitoi Kajron në ndalesën e parë të udhëtimit të tij në rajon, ndërkohë që janë shtuar shqetësimet për dhunën sektare në Irak. Zoti Kerry foli edhe për situatën në Egjipt:

Një ndër mesazhet kryesore të Sekretarit të Shtetit Kerry gjatë vizitës së tij ishte qeverisja gjithëpërfshirëse, si në Irak, ashtu edhe në Egjipt.

Në komentet dje në Kajro, zoti Kerry paralajmëroi për rreziqet e ekstremistëve suni që kanë shënuar përparime përballë qeverisë të kryesuar nga shiitët në Bagdat. Por ai u bëri gjithashtu thirrje udhëheqësve të vendit:

"Ky është një moment kritik, kur duhet t’i nxisim udhëheqësit e Irakut të ngrihen mbi dhunën sektare dhe të formojnë një qeveri uniteti, të vendosur për të përballuar nevojat dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të së gjithë popullatës së saj”.

Ndalesa e panjoftuar në Kajro, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime edhe me presidentin e sapo-zgjedhur Abdel Fattah el-Sissi, u zhvillua në fillim të një turneu të organizuar me ngut për në Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Megjithëse zoti Kerri tha se u takon irakianëve të vendosin cilët do të jenë udhëheqësit e tyre, shefi i diplomacisë amerikane pritet të diskutojë formimin e një qeverie më gjithëpërfshirëse gjatë ndalesave të ndryshme të turneut. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë të zgjedhin apo të mbështesin një individ apo një grup të caktuar për udhëheqjen irakiane.

Zoti Kerry theksoi gjithashtu se ideologjia e ekstremistëve është një kërcënim jo vetëm për qeverinë irakiane, por për të gjithë rajonin.

Në një konferencë për shtyp me homologun egjiptian, zoti Kerry vuri theksin tek “partneriteti i gjatë dhe i thellë” mes Uashingtonit dhe Kajros dhe tha se dy vendet do të punonin së bashku për t’iu kundërvënë kërcënimeve terroriste.

Por ai pohoi se dy palët kanë vend për përmirësime dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së fjalës dhe grumbullimit.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kajros u tensionuan pas rrëzimit të presidentit të parë të zgjedhur në votime të lira, Mohamed Morsi dhe shtypjes që pasoi ndaj Vëllazërisë Myslimane, së cilës i përket zoti Morsi.

Një zyrtar i lartë që po udhëton me zotin Kerry u citua të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë dakord me pikëpamjen e Egjiptit se Vëllazëria Myslimane ka lidhje me grupet terroriste. Zyrtari e cilësoi situatën më tepër një sfidë politike se sa sigurie.
XS
SM
MD
LG