Lidhje

Uashingtoni paralajmëron ISIS


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se grupi i vetquajtur Shteti Islamik do të ndjejë presion edhe më të madh gjatë javëve që vijnë ndëra Shtetet e Bashkuara, Franca dhe aleatë të tjerë shtojnë përpjekjet kundër militantëve.

Sekretari Kerry foli në Paris pas takimit me presidentin francez Fancois Hollande ku u diskutuan mënyra të ndryshme përmes të cilave vendet e tyre mund të jetë më efikase në luftën kundër militantëve. Bisedimet vijnë disa ditë pas tragjedisë në Paris ku humbën jetën 129 njerëz.

“Shpreha ngushëllimet presidentit Hollande në emrin e presidentit Obama dhe popullit amerikan dhe e falenderova për reagimin e pashoq të popullit francez, kurajon që ata kanë treguar. Folëm për hapa të veçantë që besojmë se mund ti ndërmarrim sëbashku në disa aspekte të ndryshme, për shtuar përpjekjet tona dhe efikasitetin kundër militantëve të Daesh.”

Presidenti francez është zotuar të godasë militatët pamëshirë në Siri, ku tha ai u planifikuan sulmet e Parisit.

Ndërkohë, Ministria e Brendëshme franceze thotë se autoritetet kryen 128 bastisje gjatë natës. Një natë më parë u kryen bastisje të tjera ku u ndaluan 23 njerëz dhe mbi 100 të tjerë u vunë në arrest shtepiak. Zyrtarët kanë thënë se kanë identifikuar trurin që dyshohet të jetë pas sulmeve vdekjeprurëse.

Në Bruksel, shefja e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtëme Federica Mogherini premtoi mbështetje të plotë të bllokut për çështjet e sigurisë në Francë.

“Franca ka kërkuar ndihmë dhe asistencë në bazë të traktateve. Sot, Bashkimi Evropian njëzëri ka shprehur mbështetjen e tij më të fortë dhe gatishmërinë për të ofruar ndihmën dhe asistencën e kërkuar dhe të nevojshme.”

Aeroplanët luftarak francezë vazhdojnë të godasin objektivat e militantëve në Siri dhe kryeqytetin e tyre në Raka. Ministria e mbrojtjes tha se 10 nga avionët e saj morën pjesë në goditjet e fundit ajrore që kishin si objektiv një qendër komande dhe zonë rekrutimi.

XS
SM
MD
LG