Lidhje

Kryediplomati amerikan në Lindjen e Mesme


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po vazhdojnë takimet me zyrtarë në Lindjen e Mesme në përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Sekretari Kerry u takua sot në Kairo me Ministrin e Jashtëm të Egjiptit Sameh Shukri, një përpjekje e re kjo për të shpëtuar një plan armëpushimi të propozuar nga Egjipti.

“Mirënjohje për ministrin Shukri, veçanërisht për presidentin egjiptian Sissi, për udhëheqjen e tyre dhe propozimin e kësaj nisme të cilën të gjithë po përpiqemi ta arrijmë. Shpresoj për bisedime të mira dhe që të gjejmë jo vetëm një rrugë për armëpushimin por një mënyrë për të trajtuar çështjet themelore shumë të komplikuara.”

Kryediplomati egjiptian shprehu shpresën për arritjen e armëpushimit.

“Shpresojmë që kjo vizitë të sjellë armëpushimin që ofron sigurinë e nevojshme për popullin palestinez. Kështu mund të fillojmë të adresojmë çështjet afat mesme dhe afat gjata lidhur me Gazën.”

Zoti Kerry zhvilloi mbrëmë bisedime me zotin Ban. Ata diskutuan mbi paketën 47 milion dollarëshe për ndihmat humanitare, e cila synon të lehtësojë gjendjen për mijëra banorë të zhvendosur të Gazës.

Zoti Ban, i cili u ka bërë thirrje të dy palëve të ndalin dhunën dhe fillojnë negociatat pa parakushte, pritet të shkojë në Izrael për takime me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe në Bregun Perëndimor për bisedime me zyrtarët palestinezë.

Konflikti dy javor nuk ka treguar shenja uljeje ndërkohë që sulmet ajrore izraelite goditën disa objektiva në Rripin e Gazës, duke vrarë të paktën 10 njerëz, ndërkohë që raketat nga Gaza janë hedhur drejt Izraelit.

Izraeli filloi një ofensivë tokësore në Gaza të enjten e kaluar pasi sulmet ajrore nuk arritën të ndalonin sulmet me raketa nga Hamasi.

Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar trupat e gjashtë ushtarëve që ishin vrarë kur automjeti i tyre u sulmua të dielën, por ende po punon për të identifikuar ushtarin e shtatë. Media izraelite thotë se ushtari ishte zhdukur, por nuk tha nëse ishte i gjallë apo vdekur.

Një zëdhënës i Hmasait tha të dielën se militantët kishin kapur një ushtar izraelit në Gaza. Ambasadori izraelit në OKB tha se kjo nuk ishte e vërtetë. Izraeli ka patur deri tani 29 të vdekur, përfshi dy civilë, në luftimet më vdekjeprurëse në Gaza në pesë vite. Konflikti ka qënë edhe më shkatërrimtar në territorin palestinez ku më shumë se 570 njerëz kanë vdekur, pjesa dërrmuese e tyre civilë.

XS
SM
MD
LG