Lidhje

Sekretari amerikan i Shtetit në takimin e NATO-s


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, shkon në Evropë për bisedime me ministrat e jashtëm të NATO-s dhe zyrtarë të tjerë në lidhje me terrorizmin, ndryshimet klimatike, zhvillimet në Ukrainë dhe mundësinë e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë. Nesër, zoti Kerry do të kryesojë një takim në rang ministrash të koalicionit të vendeve që po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.

Duke folur në një forum në Uashington, Sekretari Kerry u shpreh se udhëheqësit e Shtetit Islamik menduan se bota do të druhej t’u kundërvihej.

“Le të jemi të qartë: ne nuk frikësohemi. As ju nuk frikësoheni. As miqtë dhe partnerët tanë. ISIL gabohet rëndë.”

Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA kanë patur sukses në zmbrapsjen e militantëve të Shtetit Islamik nga disa pozicione në Irak dhe Siri.

Në Bruksel, zoti Kerry me më shumë se 60 partnerë të koalicionit do të vlerësojnë përpjekjet politike drejt degradimit dhe mposhtjes së militantëve, thotë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

“Është një mundësi për të konstatuar se si është situata, për të diskutuar se ç’duhet bërë më tej, dhe për të përditësuar qëndrimin e vendeve të ndryshme.”

Në takim duhen shqyrtuar edhe mënyrat me të cilat Shteti Islamik tërheq ndjekësit e vet, thotë profesorja e diplomacisë Cynthia Schneider, e cila foli nëpërmjet Skypit.

“Duhen parë arsyet themelore. Do të doja të theksoja se ato nuk lidhen shumë me ideologjinë sesa me varfërinë dhe mungesën e mundësive.”

Koalicionit i duhet një plan i qartë bashkëpunimi me Irakun se si do të organizohet lufta kundër Shtetit Islamik brenda vendit të tyre, thotë profesori i menaxhimit të konflikteve Daniel Serwer.

“Ka patur pak përparim në luftën kundër ISIS në Irak, dhe duket se kjo vjen për shkak të aftësive të ulta ë forcave të sigurisë irakiane.”

Zoti Serwer thotë se Sekretari Kerry duhet të nxisë Turqinë të ndihmojë më shumë në luftën kundër militantëve në Siri.

“Përqasja më e mirë do të ishte një marrëveshje ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së për të krijuar një zonë të lirë të mbrojtur brenda Sirisë.”

Por, ai thotë se as SHBA dhe as Turqia nuk janë të gatshme të ndërmarrin hapat e duhur për të arritur këtë objektiv.

XS
SM
MD
LG