Lidhje

Sek. Kerry, javën e ardhshme në Rusi


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha të mërkurën se ai do të shkojë në Moskë javën e ardhshme për bisedime me udhëheqësit rusë mbi çështjen e Ukrainës dhe konfliktin në Siri.

Sekretari Kerry bëri njoftimin në Paris ku ndodhet për një konferencë mbi ndryshimet klimatike, duke thënë se ai synon të takohet me presidentin rus dhe ministër i jashtëm Sergei Lavrov.

Sekretari Kerry tha se pavarësisht interesave ushtarake dhe politike të Rusisë në Siri, Moska "ka qenë konstruktive", në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për t'i dhënë fund konfliktit sirian.

"Ata na kanë ndihmuar në këtë proces," tha sekretari Kerry. "Rusia ka qenë konstruktive gjatë bisedimeve të Vjenës, dhe unë mendoj se ata duan një zgjidhje politike atje (për Sirinë)".

Kerry nuk dha hollësi të tjera për vizitën e tij në Moskë, por kjo do të ndodhë para një takimi të mundshëm në Nju Jork më 18 dhjetor ku do të bëhen përpjekjet për të nxitur fillimin e një procesi për një zgjidhje politike të çështjes siriane.

Zëdhënësi i Kremliniit, Dmitri Peskov nuk përjashtoi një takim të presidentit rus Vladimir Putin me zotin Kerry, gjatë përgjigjës ndaj një pyetje të agjencisë së lajmeve Interfax mbi një takim të mundshëm Kerry-Putin.

Kjo do të jetë vizita e parë e Sekretarit Kerry në Rusi që nga maji i vitit 2013. Sekretari Kerry në maj të vitit 2013 ishte për vizitë në Soçi, ku zhvilloi bisedime me presidentin Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

XS
SM
MD
LG