Lidhje

Sek. Kerry mbron strategjinë kundër ISIS


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u doli në mbrojtje planeve të administratës për të luftuar ekstremistët e Shtetit Islamik gjatë një seance me pyetje nga një komision i Senatit, që shpesh tingëlluan si tendencioze. Korrespondenti Michael Bowman njofton se pak pasi foli zoti Kerry, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të autorizuar stërvitjen dhe pajisjen e forcave të moderuara të opozitës siriane për të luftuar kundër Shtetit Islamik:

Sekretari Kerry, i sapo-kthyer nga një tur diplomatik për të siguruar mbështetje ndërkombëtare në betejën kundër Shtetit Islamik, u tha ligjvënësve se synimi dhe rruga që ka përpara Amerika janë të qarta:

“Shteti Islamik duhet mposhtur. Pikë. S’ka tjetër. Shtetet e Bashkuara nuk do të angazhohen vetëm. Ky ka qenë parimi themelor mbi të cilin Presidenti Obama është përpjekur ta organizojë këtë fushatë. Prandaj po krijojmë një koalicion global. Ka më shumë se 50 vende që ose kanë rënë dakord, ose kanë filluar të veprojnë”.

Senatorë nga të dyja partitë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë e vunë në pikëpyetje vendimin e presidentit për të mos i kërkuar Kongresit autorizim të gjerë për luftën kundër Shtetit Islamik. Kryetari i Komisionit Robert Menendez:

“Goditjet ajrore të kufizuara në kohë dhe objektiv në Irak dhe Siri janë nën autoritetin e presidentit si komandant i përgjithshëm. Por nëse fushata vazhdon për një periudhë të tejzgjatur, që me sa kuptoj do të vazhdojë, Kongresi do të duhet të miratojë autorizim specifik për përdorimin e forcës ushtarake kundër ISIS”.

Ligjvënës të tjerë folën me tone kritike ndaj strategjisë së administratës në Siri, e cila mbështetet tek fuqizimi i aftësive luftarake të opozitës siriane dhe bindja e tyre për të luftuar radikalët. Republikani Bob Corker vuri në pikëpyetje suksesin e planit.

“Po na kërkoni që të miratojmë diçka që është e pakuptimtë në formën aktuale. Jo vetëm aq, por nuk duket as propozim serioz”.

Në përgjigjen e tij, Sekretari Kerry tha se sirianët e moderuar do të përfitonin nga një fushatë intensive ajrore që ka në shenjestër Shtetin Islamik dhe parashikoi se fitorja në fushën e betejës do të forconte radhët e forcave të moderuara. Ai foli edhe për autorizimin nga Kongresi.

“Kam kërkuar autorizim. Miratojeni. E mirëpresim miratimin tuaj. Por nuk do të ngecemi në këtë situatë, ku kemi autoritetin për të mos shfrytëzuar autoritetin që na nevojitet për të mbrojtur vendin”.

Pak më pas, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një autorizim të kufizuar për të stërvitur dhe pajisur kryengritësit e moderuar sirianë, një masë që Senati pritet ta hedhë sot në votë. Pritet që Kongresi të analizojë dhe votojë masa të tjera kundër Shtetit Islamik para zgjedhjeve të nëntorit.

XS
SM
MD
LG