Lidhje

SHBA, përpjekje për konferencë paqeje për Sirinë


Sekretari i Shtetit John Kerry shkon sot në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të organizuar një konferencë paqeje për Sirinë. Ai do të bisedojë me zyrtarë rusë për këtë çështje. Plani i tyre parashikon të sjellin së bashku opozitën dhe qeverinë siriane, në kërkim të një autoriteti të ri kalimtar për t'i dhënë fund luftimeve në Siri.

Përpjekja e re për t’i dhënë fund dhunës synon të sjellë së bashku për herë të parë të dërguarit e qeverisë së Presidentit Bashar al Assad dhe kundërshtarët e tij. Megjithëse Washingtoni dhe Moska mbështesin palë të ndryshme në konflikt, Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se ata janë të bashkuar për çështjen e një qeverie kalimtare në Siri.

“Si Rusia, edhe Shtetet e Bashkuara kanë besim se është jashtëzakonisht konstruktive dhe pozitive që ne të bashkëpunojmë, në përpjekje për një zgjidhje paqësore.”

Analisti i Institutit të Paqes Steve Heydemann thotë se Damasku nuk pranon bisedime lidhur me çështjet thelbësore të konfliktit.

“Edhe pse nuk duan të shkaktojnë një çarje mes tyre dhe Rusisë, ata po bëjnë ç’është e mundur që këto negociata, ose të mos realizohen ose të manipulohen në mënyrë të tillë, që përmbajtja e negociatave të përcaktohet nga ajo që kërkon qeveria.”

Presidenti Assad thotë se nuk do të japë dorëheqjen. Por kjo mbetet një kërkesë kyçe e grupit kryesor të opozitës.

“Kjo nuk është një kërkesë që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, dhe as nga Bashkimi Evropian. Por në se koalicioni i qëndron asaj, është e vështirë që kjo strukturë negociatash të fillojë të funksionojë.”

Grupi kryesor i opozitës në Siri nuk po takohet me zotin Kerry në këtë udhëtim të tij në rajon dhe nuk është zotuar t’u bashkohet bisedimeve të paqes. Ja si shprehet kryetari opozitës George Sabra:

“Ne mendojmë se është ende shumë herët për të vendosur në se do të marrim pjesë në konferencë, sepse objektivi i saj nuk është i qartë. Deri tani, nuk ka një program, apo listë të vendeve që do të marrin pjesë.”

Ky është një tjetër problem, ndërkohë që Rusia thotë se në bisedime duhet të përfshihet edhe Irani. Shtetet e Bashkuara, në të kaluarën e kanë kundërshtuar përfshirjen e Iranit, por thonë se ftesat për këto bisedime janë ende duke u shqyrtuar me Kombet e Bashkuara.



XS
SM
MD
LG