Lidhje

Sekretari Kerry fillon një turne në tre vende


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry fillon sot një turne në tre vende, gjatë të cilit ai do të qëndrojë në Austri, për një raund të dytë bisedimesh mbi të ardhmen politike të Sirisë dhe luftën kundër ISIS-it.

Takimi në Austri pason bisedimet që u mbajtën në fund të tetorit, lidhur me trazirat në Siri.

Zëvendës ministri i Jashtëm i Sirisë thotë se vendet e përfshira në bisedimet e Austrisë duhte të kenë një synim konkret.

"Ata që duan arritjen e një marrëveshjeje paqësore në Siri duhet të ndalin mbështetjen e grupeve të armatosura. Fillimisht, ata duhet të luftojnë terrorizmin. Së dyti, duhet t’u japin sirianëve mundësinë që t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.”

Por Shtetet e Bashkuara dhe disa vende, mes tyre Turqia, thonë se presidenti sirian Bashar al-Assad nuk mund të qëndrojë në pushtet, ndërsa Rusia vazhdon të kundërshtojë çdo ndryshim në udhëheqjen e Sirisë.

"Ata duan që reformat të realizohen menjëherë, para se të bisedohet për të ardhmen politike të Sirisë dhe që sirianët të bien dakord me këtë ide. Ne mendojmë se vendimet duhen marrë nga vetë sirianët.”

Rusia kohët e fundit kritikoi planet amerikane për dërgimin e trupave tokësore në Siri për të luftuar ISIL-in, duke e akuzuar Uashingtonin për krijimin e një konflikti me Moskën.

Para vizitës në Austri, zoti Kerry do të ndalojë në Tunizi, ku do të takohet me zyrtarët për një tjetër dialog strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Tunizisë.

Gjatë një dialogu fillestar prillin e kaluar, zyrtarët diskutuan për çështje, si ekonomia, partneritetet e mundshme dhe siguria.

Zoti Kerry do t’i japë fund turneut me një ndalesë në Antalia të Turqisë, ku ai do t’i bashkohet Presidentit Obama për një takim të udhëheqësve të G-20-ës.

XS
SM
MD
LG