Lidhje

Sekretari i Shtetit Kerry, për vizitë në Indi


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, i cili ndodhet në Indi për një vizitë tre ditore, zhvilloi sot bisedime me homologun e tij Salman Khurshid, në New Delhi.

Ministria e Jashtme e Indisë tha se bisedimet e sotme u përqendruan në tre çështje kryesore të marrëdhënieve mes të dy vendeve: siguria rajonale, ekonomia dhe teknologjia. Në komentet e tij pas bisedimeve, zoti Kerry mirëpriti rolin udhëheqës të Indisë në arenën globale dhe ritheksoi vizionin e përbashkët të të dy vendeve për paqen dhe qëndrueshmërinë në Azi.

Zoti Kerry po ashtu tha se të dy vendet mbështesin “një Afganistan të bashkuar dhe të qëndrueshëm, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin ndihmën ekonomike të Indisë për vendin e shkatërruar nga lufta”. Ai tha se demokracia më e madhe e botës, India, mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e zgjedhjeve të vitit 2014 në Afganistan, duke e ndihmuar Kabulin të përmirësojë sistemin elektoral të vendit dhe të krijojë një kornizë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Zoti Kerry i bëri thirrje New Delhit të marrë masa për ndryshimet klimatike, duke thënë se ato janë të nevojshme për vazhdimin e rritjes ekonomike të vendit.
XS
SM
MD
LG