Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton rreth mbrojtjes së civilëve


Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton rreth mbrojtjes së civilëve
Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton rreth mbrojtjes së civilëve

Gjatë një diskutimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën rreth mbrojtjes së civilëve gjatë konflikteve të armatosura, një zyrtare e lartë e OKB-së i kërkoi këshillit që të jetë gjithëpërfshirës dhe konsekuent.

Valerie Amos, shefja për çështjet humanitare e Kombeve të Bashkuara, i tha Këshillit të Sigurimit se është shumë e rëndësishme që

këshilli të kërkojë zbatimin e ligjeve ndërkombëtare që mbrojnë civilët dhe të zbatojë kërkesa të tilla me sanksione të përcaktuara. Ajo tha se Këshilli i Sigurimit po ashtu ka një rol të rëndësishëm në nxitjen e përgjegjegjësive të vërteta për shkelje serioze.

Citimet e zonjës Amos vijnë pas një raporti të organizatës humanitare Oxfam ku thuhet se të dhënat tregojnë se përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur civilët kanë qenë të pabarabarta dhe shpesh të njëanshme. Autorja e raportit theksoi shembullin e më shumë se çerek milion njerëzve të zhvendosur në Kolumbi vitin e kaluar, por se kjo çështje nuk u bë asnjëherë pjesë e agjendës së Këshillit të Sigurimit.

Shefja e çështjeve humanitare, Amos, i tha Këshillit të Sigurimit se sulmet e qëllimshme me objektiv popullsinë civile kanë rezultuar në vrasjen, plagosjen dhe gjymtimin e qindrave njerëzve çdo javë. Në gjashtë muajt e fundit, tha ajo, ka patur një seri krizash pa precedent në Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës Veriore dhe Nënsahariane.

"Jam e shqetësuar nga niveli i dhunës kundër civilëve në Bahrein, Jemen dhe së fundmi në Siri si dhe humbjeve të jetëve dhe shkeljeve të drejtave të njeriut. Njoftimet për dislokimin e tankeve dhe bombardimin e civilëve në zonat e banuara janë alarmante. Me interes të veçantë ishte edhe përkeqësimi i situatave në Libi dhe Bregun e Fildishtë dhe tjetërsimi në konflikt të armatosur."

Ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, anëtare këto të përhershme në Këshillin e Sigurimit, shfrytëzuan diskutimin e këshillit si një mundësi për të kritikuar përsëri operacionin ushtarak të NATO-s në Libi. Ambasadori i Rusisë, Vitaly Churkin, tha se është e papranueshme që paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara me mandat për të mbrojtur civilët të marrin pjesë në konfliktet e armatosura dhe të mbajnë anë. Kurse ambasadori kinez Li Baodong tha se vendi i tij është kundër çdo veprimi që tejkalon mandatin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Ambasadorja amerikane Rosemary DiCarlo tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbetet i bashkuar në angazhimin për të mbrojtur civilët dhe zonat e banuara civile nën kërcënimin e sulmeve, për t’i dhënë fund dhunës kundër popullit libian dhe për të mbrojtur të drejtat universale.

"Ne kemi një dritare mundësie për të tjetërsuar bashkëpunimin e fundit të Këshillit të Sigurimit për mbrojtjen civile në përmirësime të qendrueshme të përgjigjes tonë ndaj krizave. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë rast për të mirën tonë dhe të gjithë njerëzve të pafajshëm, grave burrave dhe fëmijëve që varen nga veprimet tona të përbashkëta për t’i mbrojtur ata."

Zonja DiCarlo tha se koalicioni i NATO-s vepron brenda mandatit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit për Libinë për të siguruar embargon e armëve dhe për të zhvilluar misionin e mbrojtjes së civilëve.

XS
SM
MD
LG