Lidhje

Këtë javë në Uashington


Kjo javë mund të përcaktojë nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një ndërhyrje ushtarake kundër regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad. Presidenti Barack Obama do të paraqesë argumentat e tij për veprim para një publiku përgjithësisht mosbesues me një fjalim televiziv nesër.

Amerikanët do të dëgjojnë argumenta për ndërhyrje ushtarake nga një president që erdhi në pushtet me premtimin për të fashitur angazhimet në luftrat aktuale dhe për të shmangur të reja, nëse siguria e vendit nuk rrezikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Zoti Obama do të paraqesë argumentin se Amerika është vërtet e kërcënuar nga përdorimi i armëve kimike.

“Të mos përgjigjesh ndaj këtij sulmi të tmerrshëm, do të thotë të lejosh rritjen e rrezikut që armët kimike të përdoren përsëri, që ato të bien në duart e terroristëve, të cilët mund t’i përdorin kundër nesh. Dhe do t’u dërgonte vendeve të tjera sinjalin e tmerrshëm se nëse përdorin këto armë, nuk do të kenë pasoja”.

Protestuesit kundër ndërhyrjes i kanë shprehur pikëpamjet e tyre në Uashington.

Në Teksas...

Dhe në Siatëll.

Senatori republikan John McCain që mbështet përdorimin e forcës në Siri, u gjend përballë qytetarëve që e vënë në dyshim aftësinë e Amerikës për një ndikim pozitiv në Lindjen e Mesme.

“Këta njerëz janë fanatikë në bindjet e tyre. Do të vazhdojnë të vrasin njerëz pasi ne të largohemi”.

Senatori McCain thotë se Amerika duhet të mbajë fjalën.

“Mund ta merrni me mend se çfarë mësimi nxjerrin Irani dhe vendet e tjera kur presidenti i vendit më të fuqishëm në botë thotë se do të veprojë dhe nuk vepron”.

Nuk ka aspak siguri që autorizimi i përdorimit të forcës në Siri, do të miratohet nga dy dhomat e Kongresit. Presidenti Obama thotë se do që të ketë mbështetje legjislative për goditje ushtarake, por se nuk ka nevojë për të, për të vepruar.

“Nuk po flasim këtu për një ndërhyrje pa afat. Nuk bëhet fjalë për një Irak apo Afganistan tjetër. Nuk do të ketë forca tokësore amerikane. Çdo veprim që do të ndërmerrnim, do të ishte i kufizuar, me synimin për të mos lejuar forcat qeveritare siriane që të helmojnë me gaz popullin e tyre dhe për të paralizuar aftësinë e tyre për ta bërë një gjë të tillë”.

Javën e kaluar, një komision i Senatit miratoi një rezolutë për përdorimin e forcës në Siri. Kongresi i rikthehet punës sot, pas një pushimi pesë javor.
XS
SM
MD
LG