Lidhje

Fati i tubacionit Keystone


Drejtues të lartë të industrisë amerikane të naftës po i bëjnë thirrje kongresit dhe presidentit të miratojnë ndërtimin e një tubacioni që do të sillte naftë nga Kanadaja për në rafineritë në jug të Shteteve të Bashkuara. Sipas tyre, naftësjellësi Keystone do të krijonte mijëra vende pune.

Por ambjentalistët thonë se projekti do të shkaktonte dëme mjedisore dhe nuk është i nevojshëm në këtë kohë kur tregu ka furnizim të bollshëm me naftë. Kongresi i ri me shumicë republikane e mbështet projektin, por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Obama mund t’i vërë veton propozimit për këtë tubacion.

Tubacioni Keystone do të sillte 800 mijë fuçi nafte nga Kanadaja për në rafineritë amerikane në Gjirin e Meksikës.

Përkrahësit e projektit thonë se ky projekt do të fuqizonte ekonominë amerikane dhe do të krijonte 42 mijë vende pune gjatë procesit ndërtimor dy vjeçar.

Kreu i Institutit Amerikan të Naftës, Jack Gerard shprehet i zhgënjyer që Presidenti Obama ka thënë se do t’i vërë veton projektit, nëse miratohet në Kongres:

“Kjo betejë e tejzgjatur pa nevojë për tubacionin Keystone nuk bën gjë tjetër, veçse pengon dhjetëra mijëra amerikanë të gjejnë punë me pagë të mirë si dhe pengon vendin të ketë një platformë të sigurtë dhe efiçente transporti për burime energjetike”.

Në dhjetor, Presidenti Obama tha në një konferencë për shtyp se nuk është i bindur se tubacioni do të hapë aq vende pune sa ç’thotë industria e naftës dhe nuk do të ketë ndikim të madh tek fuqizimi ekonomik:

“Mendoj se është krijuar prirja për t’i ekzagjeruar gjërat, duke ofruar këtë formulë magjike për rimëkëmbjen ekonomike. Por kur analizon propozimin është e vështirë të gjesh provat ku bazohet ky parashikim”.

Kritikët thonë se nafta e nxjerrë nga shtresat e bitumit shakton dëme më të mëdha në mjedis krahasuar me nxjerrjen nga depozitat e tjera të naftës, prandaj nuk duhet shfrytëzuar. Tyson Scolum përfaqëson shoqatën Public Citizen:

“Duhet të realizosh një operacion nxjerrjeje, ku shtresat ranore me bitum kalohen përmes një procesi kimik që kërkon sasi të mëdha energjie dhe uji”.

Shumica republikane në Senat e vuri në axhendën e punës projektin për tubacionin, që në ditën e parë të Kongresit të ri. Senatori John Hoeven paraqiti një projekt-ligj për miratimin e tubacinit dhe u zotua për masa të shpejta në këtë drejtim:

“Projekti i shërben rritjes ekonomike, sigurisë kombëtare, por edhe zgjerimit të infrastrukturës – ndërtimit të tubacioneve, rrugëve dhe hekurudhave”.

Projekti për tubacionin është bërë shkas për protesta të shumta. Por duket se Kongresi është i vendosur ta realizojë këtë projekt. Megjithatë, e ardhmja e tubacionit mund të varet në masë të madhe nga çmimet globale të naftës. Rënia e mëtejshme e çmimeve do ta bënte të paleverdishme procesin e komplikuar dhe të kushtueshëm të nxjerrjes së naftës nga shtresat e bitumit.

XS
SM
MD
LG