Lidhje

Tensionet në Detin e Kinës së Jugut


A do të shpërthejë Lufta III Botërore nga tensionet në Detin e Kinës së Jugut? Studiuesit dhe investitorët amerikanë po e ndjekin me vëmendje aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik të konfliktit në Detin e Kinës së Jugut, të tjerët shprehen skeptikë ndaj spekulimeve të tilla.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shkëmbyer replika ditët e fundit mbi aktivitetin e Pekinit për të ndërtuar ishuj artificialë në hapësirën detare, duke i shndërruar shkëmbinjtë nënujorë në terren tokësor për fusha aviacioni. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter tha ditët e fundit se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë “militarizim të mëtejshëm” të territoreve mbi të cilat ka pretendime konkurrente, ndërsa një zyrtar i lartë ushtarak kinez i doli në mbrojtje aktivitetit për ndërtimin e ishujve duke thënë se krijimi i hapësirës tokësore është “i justifikueshëm, i përligjshëm dhe i arsyeshëm”.

Gordon Chang, autor i librit The Coming Collapse of China, - Rënia e Pritshme e Kinës, kohët e fundit u shpreh se Deti i Kinës së Jugut mund të bëhet “fushëbeteja e ardhshme” e një konflikti të ri.

Zoti Chang tha javën e kaluar në një diskutim të zhvilluar nga Shoqata e Forcave Ajrore Amerikane se nuk do të kalojë shumë kohë para se Shtetet e Bashkuara të vendosin t’i përgjigjen qëndrimit arrogant të Pekinit në Detin e Kinës së Jugut. Ai tha se kjo s’do të vonojë.

“Marina Amerikane do t’i vërë në provë deklaratat e Pekinit se nuk lejon lëvizje në Detin e Kinës së Jugut. Kjo duhet bërë, pasi një aspekt i pandryshueshëm i politikës së jashtme amerikane gjatë dy shekujve të fundit ka qenë mbrojtja e lirisë së lundrimit”, tha zoti Chang.

Tani Kina po e shkel këtë nocion. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë shumë shpejt,” shtoi ai.

Autori e cilësoi këtë situatë si një ballafaqim ku njëra palë fiton në kurriz të humbjes së tjetrës. Ai tha se Pekini e konsideron Detin e Kinës së Jugut si territor ku mishërohen interesat e tij më thelbësore dhe se nuk ka vend për negociata, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë qenë një fuqi detare me ndikim global për dy shekujt e fundit. Të dyja palët mund të tërhiqen në ballafaqimin mbi Detin e Kinës së Jugut, por nuk do të braktisin qëndrimet e tyre thelbësore.

Rick Fisher, studiues në Qendrën për Analiza dhe Strategji Ndërkombëtare tha për Zërin e Amerikës se duhet t’i kushtohet gjithashtu vëmendje programeve të prodhimit të armëve bërthamore në Kinë dhe Korenë e Veriut. Ai tha se megjithëse Koreja e Veriut ka qëndruar e heshtur për momentin, ka gjasa që ajo ta shfrytëzojë situatën në Detin e Kinës së Jugut brenda një të ardhmeje të afërt.

“Sapo Koreja e Veriut të dëshmojë se mund të lëshojë një raketë bërthamore, ky vend bëhet faktor, pasi Pheniani mund të vendosë të krijojë ballafaqime serioze në Detin e Kinës së Jugut për t’i bërë presion Amerikës në mënyrë që të sigurojë lëshime nga Koreja e Jugut apo nga vetë Shtetet e Bashkuara. Pra sapo të krijohet situatë krize, Koreja e Veriut mund të bëhet element i rrezikshëm”.

Zoti Fisher tha se megjithëse Kim Jong Un ka fërkime me qeverinë kineze, ata veprojnë dhe funksionojnë në bazë të së njëjtës ideologji komuniste.

Edhe investitori amerikan George Soros ka shprehur shqetësim për agresionin kinez në Detin e Kinës së Jugut. Ai tha në një forum të Bankës Botërore kohët e fundit se nëse Kina ndjen presion ekonomik, ka gjasa që ajo të nxisë një luftë të tretë botërore për të krijuar solidaritet kombëtar dhe për të dalë nga vështirësitë ekonomike. Edhe nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara nuk ballafaqohen drejtpërdrejtë në konflikt, thotë zoti Soros, ka gjasa për konflikte ushtarake mes Kinës dhe një prej partnerëve të Shteteve të Bashkuara, Japonisë. Lufta III Botërore do të shpërthente si rezultat i këtij konflikti, thotë investitori George Soros.

Tad Daley, drejtor i projektit për ndalimin e luftës pranë Qendrës për Studime mbi Luftën dhe Paqen, nuk është dakord me idenë se Kina nxitet drejt këtyre qëndrimeve provokuese nga strategjitë e saj për armë bërthamore. Ai thotë se Kina duket që synon të ketë armë bërthamore vetëm për të shkurajuar agresion nga vende të tjera, por nuk ka synim të hapë vetë luftë duke goditur e para.

Zoti Daley thotë se Kina e arriti shumë vite më parë kapacitetin mbrojtës bërthamor që gëzon tani.

“Ndoshta në vitin 1975, kur Kina e bëri të qartë se nuk do të lejonte që një vend tjetër ta sulmonte me armë bërthamore, pasi nëse dikush e godiste ajo do të ishte në gjendje që me mbushjet e saj bërthamore të zhdukte Los Anxhelosin apo San Franciskon. Kjo situatë ka ekzistuar prej dekadash”.

Të gjitha këto zhvillime, thotë ai, nuk e kanë ndryshuar situatën e kapaciteteve kineze bërthamore në mënyrë rrënjësore.

Presidenti Barak Obama e paralajmëroi këtë javë Kinën se projektet e saj për krijimin e ishujve në Detin e Kinës së Jugut janë një kërcënim ndaj begatisë në rajonin e Azisë Juglindore.

XS
SM
MD
LG