Lidhje

Përpjekjet e Kinës për të rritur importet


Një supermarket në Pekin

Kina thotë se do të përdorë ushtrinë e saj të konsumatorëve për të rritur importet në mënyrë dramatike gjatë dekadës së ardhshme, duke u zotuar të importojë 45 trilionë dollarë në mallra dhe shërbime gjatë 15 viteve të ardhshme. Por kjo mund të mos jetë e lehtë, thonë analistët, sidomos me borxhin familjar në rritje, një ekonomi të ngadalësuar dhe valutën e dobët, pa përfshirë mosmarrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Ide njofton nga Shanghai.

Kina ka qenë prej kohësh eksportuesi më i madh në botë. Dhe tani ajo dëshiron të bëhet edhe importuesi më i madh.

Megjithë tarifat e larta për mallrat e huaja, Kina importoi më shumë se 1.8 trilionë dollarë vitin e kaluar, duke e vendosur atë në një pozitë të mirë për të arritur qëllimin e saj 15-vjeçar për të importuar 30 trilionë dollarë.

Banorët e Shangait folën me Zërin e Amerikës për importet si një burim i gjithçkaje që nga ushqimi dhe frutat e sigurta deri te pajisjet elektronike.

"Shumica e importeve që blejmë janë produkte ushqimore, ushqime të mira për shëndetin. Ne blejmë bollgur, lodra dhe qumësht nga Danimarka", i tha Zërit të Amerikës një banor i Shanghait.

"Në të kaluarën njerëzit nuk mund të përballonin çmimet e artikujve të importuar, por pagat janë rritur, njerëzit janë të gatshëm të blejnë më shumë", thotë një banore e Shanghait.

Për të arritur synimin e saj të importeve, ekonomia e dytë më e madhe në botë duhet të vazhdojë rritjen. Dhe perspektiva e rritjes ekonomike është gjithnjë e më komplekse.

Në gjysmën e parë të vitit, rritja ishte e fortë. Megjithatë, në tremujorin e tretë pati një rënie të ndjeshme dy-shifrore, më e keqja në 20 vjet. Çmimet e aksioneve në indekset kryesore të bursave të Kinës kanë pësuar rënie që nga janari dhe lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara po shkakton ankth më të gjerë ekonomik.

Në disa pjesë të vendit, konsumatorët kanë ulur shpennzimet e tyre. Të tjerët në qytete bregdetare të pasura po presin se çfarë do të ndodh me ekonominë, thotë Daniel Zipser nga firma McKinsey & Company:

"Njerëzit po flasin, flitet në mediat sociale, ka transparencë të plotë në bisedat e tyre rreth luftës tregtare, rreth zhvlerësimit të kursit të këmbimit dhe kjo krijon ankth. Në qoftë se të ardhurat tuaja nuk janë aq të larta, ju do të pyesni veten: A duhet ta blej një makinë të re tani, apo ndoshta duhet pres edhe pak."

Gjashtë deri nëntë muajt e ardhshëm do të jenë të butë, duke marrë parasysh pasiguritë, thotë zoti Zipser, por ai beson se kinezët mund të vazhdojnë të ecin përpara në 2-3 vitet e ardhshme. Të tjerët nuk janë aq optimistë.

Një çështje kyçe që mund të ketë ndikim të madh është nëse Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping mund të zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare. Dy udhëheqësit pritet të takohen këtë muaj.

Arritja e një marrëveshjeje mund të ndihmojë në shmangien e tarifave edhe më të larta ndaj të gjitha eksporteve kineze në Amerikë. Por disa anaistë të tjerë thonë se mosmarrëveshjet tregtare do të zgjasin më shumë. Dhe sa më të gjata të jenë ato, aq më i madh do të jetë ndikimi i tyre mbi konsumatorët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG