Lidhje

Kina reagon ashpër ndaj kritikave amerikane


Gjatë forumit "Një brez, një rrugë" në Pekin, një person qëndron përpara një pikture të rrugës së lashtë tregtare kineze "Rruga e Mëndafshtë"
Gjatë forumit "Një brez, një rrugë" në Pekin, një person qëndron përpara një pikture të rrugës së lashtë tregtare kineze "Rruga e Mëndafshtë"

Kina shprehu pakënaqësinë ndaj kritikave të Shteteve të Bashkuara lidhur me nismën e saj “Një brez, një rrugë”, ide e frymëzuar nga Rruga e Mëndafshit, një rrjet i lashtë rrugësh tregëtare që lidhte pjesë të Azisë, Afrikës dhe Evropës. Administrata e presidentit Xi Jinping e ka paraqitur nismën si një strategji zhvillimi që përfshin investime dhe ndërtim infrastrukture në mbi 150 vende. Kritikët thonë se Nisma “Një brez, një rrugë” synon të promovojë ndikimin kinez dhe jo zhvillimin. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka paralajmëruar se financimet jo transparente të Kinës, mund t’i zhysnin vendet në borxhe të papërballueshme.

Nisma “Një brez, një rrugë” është aktualisht projekti ndërkombëtar më ambicioz i Kinës. Me premtimet për përfitime financiare për vendet e pasura dhe zhvillim për të varfërit, ajo ka ngjallur interes të konsiderueshëm.

"Unë mendoj se ky është projekti më i rëndësishëm për investimet në botë për 100 vitet e ardhshme. Ky është vizioni që është krijuar dhe mendoj se bota ka nevojë për këto vizione”, tha Ueli Maurer, President i Konfederatës Zviceriane.

"Nëse Kina dhe Franca punojnë së bashku me përvojat e tyre të ndryshme, mendoj se ne mund të nxisim projekte të reja me mundësi të shumta në shumë vende, si për shembull në Afrikë”, tha Jean-Pierre Raffarin, ish-kryeministër francez.

Edhe shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është i interesuar për nismën e Kinës, ndërsa përpiqet të përshpejtojë objektivat e zhvillimit të OKB-së.

Pesë shtyllat e nismës ‘Një brez, një rrugë’: koordinim politikash, lidhje objektesh me tregëti të papenguar, integrim financiar dhe këmbime njerëzore, janë të lidhura ngushtë me 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Këto janë shtylla konceptuale që mund të përkthehen në përparim real për njerëzit”, tha ai.

Por, jo të gjithë janë të bindur. Ka shumë dyshime se Kina nuk do t’ia dijë për zhvillimin, por vetëm për rritjen e ndikimit të saj global. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo e përshkruan Kinën si një partner biznesi jo të besueshëm.

"Kina bën marrëveshje të korruptuara të infrastrukturës në këmbim të ndikimit politik. Diplomacia e saj me rryshfete, me kurthe borxhesh, minon qeverisjen e mirë dhe kërcënon të sabotojë modelin e ekonomisë së lirë, tek i cili mbështeten gjithë ato vende dhe që ka nxjerrë nga varfëria miliona njerëz”, tha ai.

Ministria e Jashtne kineze reagoi me zemërim të enjten.

"Ata nuk lodhen duke folur, por ne jemi lodhur duke dëgjuar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang.

Zëdhënësi ngriti lart suksesin e forumit të nismës në Pekin muajin e kaluar.

"6 mijë delegatë nga 150 vende dhe 92 organizata ndërkombëtare morën pjesë në Forumin e dytë për Bashkëpunim Ndërkombëtar të nismës ‘Një brez, një rrugë’, përfshirë mbi 50 përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë aktualisht të angazhuara në negociata të vështira tregëtare, por administrata e Presidentit Trump ka vendosur tarifa të reja të ashpra sot për importet kineze.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG