Lidhje

Marrëdhëniet Kinë - Taivan


Kina i ka ofruar Taivanit një seri propozimesh gjatë disa vjetëve të fundit për të zhvilluar marrëdhënie më të forta dypalëshe. Pekini do që Taivani të jetë nën kontrollin e tij, pas 65 vjet vetë qeverisje. Marrëveshjet për investime dhe ato tregtare janë miratuar nga Taivani, por disa prej projekteve më ambicioze të Kinës nuk janë të mjaftueshme, ndërsa taivanezët shqetësohen lidhur me marrëdhënie tepër të ngushta me Kinën. Ralph Jennings njofton për Zërin ne Amerikës nga Taipei.

Mes propozimeve të ofruara nga zyrtarët kinezë janë një urë ose tunel, që lidh Kinën me Taivanin si dhe administrimi i përbashkët i ishullit të kontrolluar nga Kina mes dy palëve. Të dy palët po takohen këtë javë në Kinë, por nuk ka të ngajrë që të preken këto çështje.

aivani ka të lënë të kuptohet se projekte të tilla madhore nuk do të funksionojnë. Liu Yi-jiun, profesor i çështjeve publike në Universitetin Fo Guang në Taivan, thotë se publiku do të kundërshtojë masa që lenë të kuptohet ribashkimin me Kinën.

“Ribashkimi i të dyja anëve të Ngushticës së Taivanit është një objektiv shumë i qartë, por ne duhet të kemi parasysh opinionin e popullit taivanez. Në njërën anë, Kina po përpiqet të bëjë çdo gjë për të siguruar më shumë mbështetje nga Taivani. Megjithatë, për arsye të territorit dhe popullatës së vogël së Taivanit, njerëzit e këtij vendi janë shumë skeptikë se sa do të përfitojnë”.

Taivani u shkëput nga Kina pas luftës civile të vitit 1949, por Pekini ende e konsideron këtë vend si një provincë separatiste, e cila një ditë do të ribashkohet me Kinën. Përpjekjet e Pekinit për të rimarrë kontrollin e Taivanit vështirësuan lidhjet në shumicën e fushave të bashkëpunimit deri në vitin 2008, kur presidenti i Taivanit, Ma Ying-jeou, la mënjanë çështjet politike për të vendosur besimin mes dy vendeve nëpërmjet marrëveshjeve tregtare dhe të investimit. Të dyja palët kanë arritur 19 marrëveshje të tilla gjatë mandatit të zotit Ma.

Një marrëveshje e vitit 2008 për të lejuar kinezët të vizitojnë Taivanin ka ndihmuar sektorin e shërbimeve të vendit ishull. Më shumë se 2 milion turistë nga Kina shkuan në Taivan vitin e kaluar. Taivani do të rrisë kuotat e këtij viti për udhëtarët e pavarur kinezë nga 3,000 në 4,000 në ditë. Tregtia dypalëshe pas një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik e nënshkruar në vitin 2010 e kaloi shumën e 100 miliardë dollarëve po atë vit. Taivani ka pakësuar gjithashtu pengesat për investimet nga Kina.

Kina i ka mirëpritur këto masa si një mënyrë bashkëpunimi ekonomik, pjesë e objektivit të saj drejt ribashkimit. Por Taivani nuk ka përfillur një propozim prej 80 miliardë dollarësh për ndërtimin e një ure ose tuneli, që do të lidhte të dyja anët e Ngushticës së Taivanit prej 160 kilometrash deri në vitin 2030, si një symbol ribashkimi. Investitorët taivanezë preferojnë zonën e zhvilluar të Shangait përkundrejt ishullit aty afër Pingtan, të cilin zyrtatë kinezë e kanë zgjedhur si një rast prove për administrim të përbashkët. Gjithashtu një marrëveshje për liberalizimin e tregtisë së shërbimeve me Kinën ka ngecuar në parlamentin e Taivanit.

Alexander Huang, professor i studimeve strategjike në Universitetin Tamkang në Taivan, citon pengesa politike në Taivan, të cilat do të bëjnë që ambicjet e mëdha të Pekinit të mos jenë pjesë e takimeve në të ardhmen mes të dyja palëve.

“Çështje të tilla kanë të bëjnë me politikat e brendshme në Taivan ose interest e ndryshme të biznesit dhe industrisë. Nuk besoj se ato do të jenë pjesë e bisedimeve Kinë-Taivan në të ardhmen e afërt”.

Huang Chun-jung, kreu i distriktit jugor të shoqatës studentore, Çështjet Publike të të Rinjve Taivanezë, thotë se populli i Taivanit do të kundërshtojë çdo plan që dëmton autonominë.

“Për momentin, Taivani dhe Kina janë pak a shumë vende armike. Populli i Taivanit mund të pranojë disa propozime ekonimike nga Kina, por jo të gjitha. Idetë e Kinës nuk duhet të jenë në kundërshtim me parakushtet e autonomisë së Taivanit”.

Pekini pritet të propozojë projekte të reja pro-Taivanit, ndërsa ky vend ishull bëhet gati për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ma Ying-jeou nuk mund të kandidojë përsëri për shkak të kufizmit të mandateve, ndërkohë që Pekini synon t’i impresionojë votuesit në mënyrë që ata ta zëvëndësojnë zotin Ma me një president më miqsor ndaj Kinës në vend të mbështetjes së një kandidati që favorizon pavarësi më të madhe të Taivanit nga Kina.
XS
SM
MD
LG