Lidhje

Marrëdhëniet diplomatike Kinë-Taivan


Nënpresidenti i Taivanit kaloi këtë muaj 4 ditë në Shtetet e Bashkuara, visitë kjo e pazakontë, që në të kaluarën do të pritej me protesta zyrtare nga ana e Kinës. Nënpresidenti Wu Den-yih shkoi në New York për takime private, para se të shkonte për visita në vende aleate të Amerikës Latine, dhe bëri një vizitë në Los Angeles gjatë rrugës së kthimit. Ralph Jennings i Zërit të Amerikës njofton nga Taipei se si armëpushimi diplomatik i Taivanit me Kinën ndihmon kalimet e qeta në Amerikën e Veriut, ndërsa ruhet armëpushimi i trefishtë.

Pak pasi filloi nga detyra në vitin 2008, presidenti i Taivanit, Ma Ying-jeou shpalli një armëpushim diplomatik me Kinën. Kjo deklaratë i dha fund diplomacisë së kaluar të Taivanit, kur Taipei dhe Pekini paguanin vendet aleate të njera tjetrës që kishin nevojë për fonde për të ndryshuar aleancat, ndërsa të dyja palët përpiqeshin të fitonin legjitimitet ndërkombëtar. Numri i vendeve aleate të Taivanit ra në 23, ndërsa numri i aleatëve të Kinës u rrit në 170 vende, duke i bërë kështu udhëheqësit në Taipei të ndryshojnë kurs.

Bruce Linghu, drejtor i përgjithshëm në ministrinë e jashtme të Taivanit në krye të marrëdhënieve me vendet e Amerikës së Veriut, thotë se armëpushimi ka bërë të mundur që Taivani të mos humbasë vendet aleate, të afrohet me zyrtarë të lartë amerikanë dhe të sigurojë heqjen e vizave të udhëtimit nga 54 vende.

“Armëpushimi diplomatik dhe rezultatet prej tij janë të shumta. Veçanërisht lidhjet me ish aleatët janë forcuar, ndërkohë që pjesëmarrja e Taivanit në ngjarje ndërkombëtare është shtuar megjithë nevojën për më shumë përpjekje. Marrëdhëniet me vende të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe vende të Bashkimit Evropian e kanë bërë më të lehtë për popullin taivanez që të udhëtojë jashtë vendit pa viza”.

Kina ka pasur pretendime territoriale mbi Taivanin që prej luftës civile të Kinës në vitet 1940-të. Taivani, i vetëqeverisur që prej atëhere, i shikon marrëdhëniet e tij me botën e jashtme si provë e autonomisë së ishullit. Por tani që i kanë mbetur vetëm pak aleatë zyrtarë, që nga viti 2008 Taivani është përqëndruar më shumë në lidhjet e tij jozyrtare kulturore dhe ekonomike, ndërkohë që përpiqet të mos u bëjë sfidë marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Pekinin.

Kina nuk e ka pranuar kurrë publikisht armëpushimin diplomatik, i cili nuk ka ndryshuar që nga 2008-ta. Por analistët thonë se Pekini e respekton armëpushimin në qarqe private dhe ka frikë se mund të braktiset nëse partia e presidentit Ma’s humbet zgjedhjet presidenciale.

Për momentin, Pekini ka hequr dorë nga protetstat e forta të së kaluarës kundër Uashingtonit kur zyrtarë të lartë taivanezë lejoheshin të ndalonin në Shtetet e Bashkuara kur bënin vizita në Amerikën e Veriut. Kina kërkon marrëdhënie miqsore me Taivanin si një hap drejt objektivit të saj të ribashkimit politik.

Nathan Liu, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Ming Chuan në Taivan, thotë se nënshkrimi i një marrëveshjeje të vështirë dhe tepër të vonuar mbi mbrojtjen e investimeve në bisedimet e zhvilluara në fillim të këtij muaji tregon se Kina është e gatshme të vazhdojë marrëdhëniet e tanishme me Taivanin.

“Mendoj se Kina ende ka një farë besimi te administrata e presidentit Ma Ying-jeou. Para bisedimeve shumë studiues dhe komentatorë flisnin rreth mosgadishmërisë së Kinës për të arritur një marrëveshje me administratën e presidentit Ma dhe se refuzonte të vazhdonte kursin e tanishëm. Por që prej bisedimeve ose rezultatit të tyre, ne mund të shikojmë se Kina është e gatshme të vazhdojë marrëdhëniet e tanishme me administratën e presidentit Ma Ying-jeou”.

Ambasada de fakto amerikane në Taipei thotë se ndalesat në Shtetet e Bashkuara të nënpresidentit këtë muaj nuk kanë lidhje me armëpushimin e Taivanit me Kinën. Ajo i cilëson lejet për të ndaluar në tokën amerikane si një çështje lehtësie për zyrtarët taivanezë, të cilët udhëtojnë drejt Amerikës Latine. Ndërkohë, zyrtarëve taivanezë mund t’u kërkohet që të shmangin aktivitete publike në Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG