Lidhje

Kina thotë se nuk do të paguajë taksën e re evropiane për fluturimet


Kina thotë se nuk do të paguajë taksën e re evropiane për fluturimet
Kina thotë se nuk do të paguajë taksën e re evropiane për fluturimet

Aeroplanët e kompanisë më të madhe ajore kineze së shpejti mund të mos lejohen që të fluturojnë në aeroportet evropiane pasi agjencia që përfaqëson kompaninë tha se nuk do të paguante taksën e re të Bashkimit Evropian për ndotjen. Më 1 janar, blloku prej 27 anëtarësh filloi zbatimin e një takse për ndotjen për linjat ajrore që përdorin aeroportet e bllokut. Kompanitë ajrore apo vendet që nuk zbatojnë ligjin, mund të gjobiten ose mund t’u ndalohet fluturimi në vendet e Bashkimit Evropian.

Prej kohësh Bashkimi Evropian e ka cilësuar veten si udhëheqës në luftën kundër ngrohjes globale. Ligji ku kompanitë duhet të paguajnë një tarifë për ndotjen përbën gurthemelin e politikave të bllokut. I filluar shtatë vite më parë, ligji kishte si objektiv vetëm sektorë të shërbimeve dhe të industrisë së rëndë.

Por me fillimin e këtij viti, të gjitha kompanitë ajrore, aeroplanët e të cilave përdorin aeroportet e Bashkimit Evropian, duhet të paguajnë pavarësisht se kujt vend i përkasin ato. Tarifat rriten me kalimin e viteve.

Masa ka gjetur një kundërshtim të fortë nga Shtetet e Bashkuara, India dhe vende të tjera. Ndërkohë, agjencia që përfaqëson katër kompanitë më të mëdha ajrore kineze, thotë se nuk do të paguajë tarifat.

Agjencia përllogarit se tarifat do t’i kushtojnë kompanive ajrore kineze 120 milion dollarë në vitin e parë dhe më shumë se tre fishin deri në vitin 2020.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Hong Lei mbështeti agjencinë e transportit, duke thënë se ishte i shqetësuar për atë që e cilësoi veprim të njëanëshëm të Bashkimit Evropian.

“Shumë vende janë kundër masave të Bashkimit Evropian. Shpresojmë që Evropa të mbajë një qëndrim të kujdesshëm dhe realist dhe të veprojë si duhet, duke u këshilluar me vendet e tjera, përfshi Kinën, për të zgjidhur këtë çështje.”

Gjobat për mos zbatimin e ligjit janë të ashpëra me 130 dollarë për çdo ton dioksid karboni të çliruar dhe për firmat ajrore që shkelin vazhdimisht ligjin, blloku gëzon të drejtën që mos lejojë uljen e aeroplanëve në aeroportet e tij.

Të enjten në Bruksel, zëdhënësi i bllokut për klimën Isaac Valero-Ladron tha se komisioni ishte i gatshëm të negocionte dhe bisedonte me vendet që kanë shqetësime, por shprehu mbështetje për ligjin e ri.

“Ligji ynë nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe nuk ndërhyn tek përkatësia. Nëse kinezët duan të bëjnë biznez në Evropë, përshembull të hapin një restorant apo diçka tjetër, ata duhet të zbatojnë kërkesat për higjenën dhe sigurinë. Ligji i ri nuk është ndryshe. Nëse dëshiron të veprosh në Evropë, duhet të respektosh ligjin.”

Por mund të ketë hapësirë për veprim. Vendet mund të zgjedhin që të mos paguajnë direkt në skemën evropiane për reduktimin e karbonit, përmes masave të barasvlefshme. Ato mund të jenë forma të tjera të reduktimit të karbonit në vend të tarifës nën planin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG