Lidhje

Kinë, 6 të vdekur; 120 të zhdukur nga rrëshqitja e dheut


Të paktën gjashtë trupa janë nxjerrë dhe mbi 120 vetë figurojnë të zhdukur pasi 62 shtëpi u mbuluan nga balta të shtunën nga një rrëshqitje masive dheu në fshatin malor Xinmo në provincën Sishuan të Kinës.

Një deklaratë e autoriteteve lokale kineze thotë se janë dërguar ekipe të reagimit të shpejtë në përgjigje të “katastrofës gjeologjike me përmasa masive”. Mbi 2 mijë vetë, policë, ushtarë e civilë po marrin pjesë në përpjekjet e shpëtimit për të nxjerrë të mbijetuarit nga masa e baltës dhe rrënojat.

Ekipet e shpëtimit dhe banorët po përdorin litarë për të lëvizur një gur të madh, ndërkohë që janë sjellë edhe qen me erë për të zbuluar ku ndodhen banorët e bllokuar.

Në xhirimet e regjistruara nga ajri nuk shihet asnjë shenjë e fshatit, vetëm një pamje e zymtë ngjyrë gri ku dallohen shkëmbinjtë që kanë rënë nga mali pas shkëputjes së masës së dheut. Masa e baltës ka ndërprerë edhe rrjedhën e një lumi në zonë dhe ka bllokuar 1.6 kilometra segment rrugor.

Autoritetet thonë se rrëshqitja e dheut u shkaktua nga shirat e rrëmbyer. Këto fenomene ndodhin mjaft shpesh në zonat malore e rurale të Kinës, sidomos pas shirave të dendur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG