Lidhje

Klinton: Gadafi të largohet menjëherë


Klinton: Gadafi të largohet menjëherë
Klinton: Gadafi të largohet menjëherë

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë të gjitha alternativat lidhur me Libinë dhe se asnjë variant i mundshëm nuk është përjashtuar. Ajo i bëri komentet në një takim të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, ku morën pjesë edhe ministra të jashtëm evropianë dhe të vendeve të tjera aleate.

Sekretarja Klinton tha në fjalimin e saj në Gjenevë se koloneli Gadafi duhet të largohet menjëherë.

Zonja Klinton akuzoi udhëheqësin libian se po lejon mercenarët dhe banditët të sulmojnë demonstruesit. Ajo tha se populli libian duhet të krijojë qeverinë e vet.

Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për veprim.

“Asnjë variant nuk do të përjashtohet për sa kohë që qeveria libiane vazhdon të kërcënojë dhe të vrasë qytetarët”, tha zonja Klinton.

Në fjalimin e saj, Sekretarja amerikane e Shtetit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të punojë së bashku për t’i dhënë fund krizës në Libi.

“Të gjithë ne është e nevojshme të punojmë së bashku dhe të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë e Gadafit, t’u japim ndihmë humanitare njerëzve në nevojë dhe të mbështesim popullin libian ndërkohë që ata ndjekim rrugën e kalimit për në demokraci”, tha zonja Klinton. Veprimet e kolonelit Gadafi, tha ajo, bien ndesh me detyrimet ligjore ndërkombëtare dhe me moralin njerëzor.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre ndërkombëtarë u mblodhën sot në Gjenevë për të bashkërenduar hapat e mëtejshëm kundër zotit Gadafi, ndërkohë që atje zhvillohej sesioni i Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian të mbledhur në Bruksel thonë se kjo organizatë ka rënë dakord për një paketë sanksionesh kundër udhëheqësit libian Gadafi, duke përforcuar masat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së javën e kaluar.

Zyrtarët thonë se sanksionet e BE-së përfshijnë një embargo armësh, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e vizave për Gadafin dhe anëtarë të rrethit të tij të afërt, masa të përfshira në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së miratuar të shtunën.

XS
SM
MD
LG