Lidhje

Klinton: Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjenden në një pikë kritike


Klinton: Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjenden në një pikë kritike
Klinton: Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjenden në një pikë kritike

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, thotë se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën janë në një pikë kritike, rreth tri dekada pasi të dy vendet rivendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1979 dhe disa ditë para vizitës të Presidentit kinez Hu Gjin Tao në Amerikë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Suzanë Presto nga informon se në fjalimin e saj në Departamentin e Shtetit dje, zonja Klinton bëri thirrje për transparencë dhe besim, ndërkohë që Uashingtoni synon të ketë marrëdhënie të gjithanëshme me Pekinin.

Sekretarja Klinton tha se marrëdhëniet SHBA-Kinë janë po aq të rëndësishme sa çdo marrëdhënie bilaterale në botë midis vendeve që kosiderohen “miq ose rivalë”.

"Historia na mëson se dalja e fuqive të reja ndodh në periudha konfliktesh dhe pasigurish. Në fakt, në të dy anët e Paqësorit, ne shikojmë një farë nervozizmi rreth ngritjes së Kinës dhe të ardhmes së marrëdhënieve SHBA-Kinë. Disa njezër në rajon dhe disa të tjerë këtu e shikojnë rritjen e Kinës si kërcënim që do të çojë ose në një konflikt të tipit të Luftës së Ftohtë, ose në rënin e Amerikës. Ndërsa disa në Kinë shqetësohen se Shtetet e Bashkuara synojnë të pengojnë ngritjen dhe rritjen ekonomike të Kinës, pikpamje që ka nxitur një frymë të re nacionaliste në Kinë. Ne i hedhim poshtë këto pikëpamje”.

Zonja Klinton tha se administrata Obama po ndjek një strategji tri- drejtimore.

"Ne po angazhohemi seriozisht në rajonin e Azi-Paqësorit, ne po punojmë për të ndërtuar marrëdhënie besimi mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe po vazhdojmë gjithashtu të zgjerojmë bashkëpunimin ekonomik, politik dhe të sigurimit, kurdoherë që të jetë e mundur”.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë efektivisht dhe të plotësojnë detyrimet ndërkombëtare. Ajo tha se kjo kërkon që të adresohen me vendosmëri dhe gjerësisht mosmarrëveshjet, përfshirnë edhe ato në fushën e të drejtave të njeriut.

"Tani unë e di se shumë njerëz në Kinë, jo vetëm në qeveri, por edhe në radhët e popullatës, nuk e mirëpresin, madje e kundërshtojnë mbrojtjen nga ana jonë të të drejtave të njeriut, si ndërhyrje në sovranitetin e vendit. Por si një nga vendet themeluese të Kombeve të Bashkuara, Kina është angazhuar të respektojë të drejtat e të gjitë qytetarëve të saj. Këto janë të drejta universale, të njohura nga komuniteti ndërkombëtar”.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara do të ushtrojnë presion ndaj Kinës kur ajo censuron bllogistët, burgos aktivistët dhe mohon të drejtën e ushtrimit të fesë dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Në frontin e ekonomisë, duke vënë në dukje se tregtia e Shteteve të Bashkuara me Kinën i kapërcen 400 miliardë dollarët, sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara duan që Kina të lejojë ngritjen e vlerës së monedhës së saj më me shpejtësi, t’i japë fund diskriminimit të kompanive të huaja dhe të mbrojë të drejtën e pronësisë intelektuale. Ajo tha se prodhimi i përgjithshëm i brendëshëm i Kinës, megjithëse është rritur nga 100 miliardë në 5 trilion gjatë 30 vjetëve të fundit, është sa një e treta e prodhimit të brendëshëm të Shteteve të Bashkuara.

Në aspketin ushtarak, zonja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kina më shumë transparencë, ndërkohë që ajo po merr masa për modernizimin e ushtrisë së saj. Sekretarja Klinton theksoi rolin e rëndësishëm të Kinës në veprimet provokuese të Koresë së Veriut, përfshirë edhe provat me armë bërthamore të kësaj të fundit.

"Me mbështetjen e Kinës, vitin e kaluar me miratuam sanksione mëtë rënda ndaj Koresë së Veriut në Këshillin e Sigurimit. Këto përpjekje treguan qartë se kur Kina luan një rol shumë konstruktiv, ne mund të arrijmë rezultate sëbashku dhe i dërgojmë një mesazh të qartë Koresë së Veriut”.

Por sekretarja Klinton tha se Kina duhet të luajë një rol më të madh në skenën botërore.

"Bota i ka drejtuar me entuziasëm sytë nga Kina, sepse ne mendojmë se ajo mund të jetë një udhëheqëse unike në shekullin 21. Përmbushja e detyrimeve si fuqi e shekullit 21, do t’i jepte popullit kinez mundësi edhe më të mëdha dhe të paimagjinueshme. Por kjo do të thotë që Kina të marrë përgjegjësi më të mëdha në zgjidhjen e problemeve, duke zbatuar dhe ndihmuar në respektimin e rregullave të marrëdhënieve ndërkombëtare”.

Presidenti i Kinës pritet të vijë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të martën e ardhëshme.

XS
SM
MD
LG