Lidhje

SHBA, sulmet ajrore në Kobani "të dobishme"


Shtetet e Bashkuara thonë se fushata ajrore kundër Shtetit Islamik pranë qytetit sirian Kobani ishte e "dobishme", ndërkohë që protestuesit pro-kurdë bënë thirrje për mbështetje më të madhe nga Ankaraja dhe qeveritë Perëndimore.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha të martën se sulmet ajrore ndihmuan në luftën kundër militantëve islamikë të cilët kanë rrethuar qytetin Kobani, i cili gjithashtu njihet si Ayn al-Arab.

"Ne jemi duke ndihmuar përmes sulmeve ajrore që kemi kryer gjatë ditëve të fundit. Sulmet ajrore kanë qenë të dobishme, jo vetëm atje, por edhe në Irak dhe në rajone të tjera", tha zëdhënësja Psaki.

Presidenti i Turqisë tha se Kobani është në prag të rënies në duart e Shtetit Islamik pasi një betejë gati tre-javore me luftëtarët kurdë nuk ka dhënë shenja të tërheqjes së militantëve nga qytetit.

Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi se grupi militant do të marrë nën kontroll zonën përgjatë kufirit Siri-Turqi nëse nuk do të ketë ndërhyrje të trupave tokësore për t’iu kundërvënë ofensivës së tyre.

I dërguari i ri i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Mistura të martën kërkoi veprime të menjëhershme dhe "konkrete" nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG