Lidhje

Ndahet nga jeta Kofi Annan, ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së


Familja dhe fondacioni i tij njoftuan në Twitter se ai “vdiq në paqe” të shtunën, pas një sëmundjeje të shkurtër.

Në njoftimin në Twitter thuhej se zoti Anan “ishte një burrë shteti i nivelit botëror dhe një internacionalist thellësisht i përkushtuar, i cili luftoi gjatë gjithë jetës së tij për një botë më të drejtë dhe më paqësore. Gjatë karrierës së tij të shquar dhe udhëheqjes së Kombeve të Bashkuara, ai ishte një kampion i zjarrtë i paqes, zhvillimit të qëndrueshëm, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”.

OKB-ja shprehej përmes një Twitteri: “Sot ne mbajmë zi për humbjen e një njeriu të madh, një udhëheqës dhe një njeri vizionar...Ai pati një jetë të jetuar mirë, e cila që ia vlen të nderohet”.

I lindur në Ganë, Anan ishte i pari afrikan i zi që udhëhoqi OKB-në, duke shërbyer si udhëheqës i organizatës nga viti 1997 deri në 2006.

Ai ishte gjithashtu Sekretari i parë i Përgjithshëm që u përzgjodh nga radhët e stafit të OKB-së.

Si Sekretar i Përgjithshëm, Anan luajti rol kryesor në krijimin e Fondit Global për Luftën kundër SIDËs, Tuberkulozit dhe Malarjes; për miratimin e strategjisë së parë të OKB-së kundër terrorizmit dhe pranimin nga shtetet anëtare të “përgjegjësisë për të mbrojtur” njerëzit nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit.

Në vitin 2001, ai u nderua me Çmimin Nobel të Paqes, për punën e tij humanitare së bashku me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ai filloi punë në OKB në vitin 1962, fillimisht në zyrën e buxhetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë me seli në Gjenevë.

Më vonë ai shërbeu në pozita të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Para se të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së ai ishte nën-Sekretar i Përgjithshëm për Misionin Paqeruajtës. Pas largimit nga në Organizatë e Kombeve të Bashkuara, drejtoi Fondacionin Kofi Anan dhe të Moshuarit, një grup i themeluar nga Nelson Mandela.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG