Lidhje

Dënohet pronari i ekipit të basketbollit Clippers


Komisioneri i Ligës Amerikane të Basketbollit profesionist njoftoi sot se pronari i ekipit të basketbollit Clippers të Los Anxhelosit, Donald Sterling nuk do të lejohet më të ketë ndonjë lidhje me këtë ligë dhe do të kërkohet shitja e ekipit. Masat e njoftuara nga komisioneri Adam Silver janë në përgjigje të një komenti racor që Donald Sterling kishte bërë kohët e fundit.

Komentet raciste janë dënuar edhe nga tifozë, trajnerë, lojtarë dhe ish-lojtarë basketbolli.

Anëtarët e ekipit Clippers bënë një protestë të heshtur në ndeshjen e së djelës, duke veshur fanellat mbrapsht, për të fshehur logon e ekipit.

Donald Sterling është një manjat i pasurive të patundshme në Los Anxhelos dhe në një regjistrim audio të publikuar të premten në faqen e internetit TMZ dëgjohet të ketë bërë komente ofenduese ndaj afrikano-amerikanëve, duke përfshirë ish-yllin e basketbollit, Magic Johnson. Johnson thotë se Sterling duhet ta shesë ekipin:

"Nëse atij nuk i pëlqejnë afrikano-amerikanët dhe ke të bësh me një kampionat që është mbi 70 për qind me afrikano-amerikanë..."

Tifozët ishin shumë të zemëruar, madje dhe Presidenti Barack Obama komentoi për këtë, duke folur me gazetarët në Malajzi, gjatë udhëtimit të tij në katër vende aziatike:

"Kur njerëzit injorantë dëshirojnë të reklamojnë injorancën e tyre, nuk ke nevojë të bësh asgjë, vetëm i le të flasin dhe kjo është ajo që ndodhi në këtë rast."

"Më trishton shumë të shoh se ka ende njerëz si ai, me atë mentalitet, pas gjithë asaj që ka kaluar ky vend," thotë Gail Parasram, një turiste.

Disa tifozë shqetësohen se vëmendja e mediave ndaj zotit Sterling është e dëmshme për sportin. John Robinson ka ardhur në Los Anxhelos me të dashurën nga Kalifornia veriore:

"Kemi të bëjmë me një ekip të nivelit fitues të kampionatit. Është me të vërtetë diçka e trishtuar dhe zhgënjyese, sepse ai do të duhet të ishte më profesional, sidomos kur mendon se është pronar i një skuadre të NBA-it."

Një familje nga Atlanta ndjen keqardhje, por nuk u duket diçka e papritur të ndeshen me gjuhë raciste, thotë vajza Kelly Aarons:

"Jemi në një kohë kur ende vazhdojnë gjëra të tilla. Ato janë pak më delikate, por ende ndodhin."

Donald Sterling nuk e ka mohuar që zëri i regjistruar është i tij.
XS
SM
MD
LG