Në Shqipëri, kandidatura e zotit Genti Sejko për postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore mori sot mbështetjen e komisionit të Ekonomisë. Në prezantimin e përparësive në drejtimin e Bankës zoti Sejko përmendi rikthimin e besimit dhe të imazhit të këtij institucioni, pas skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve
Zoti Sejko theksoi më tej si të rëndësishme transparencën e Bankës së Shqipërisë duke shtuar se lidhur me vjedhjen e ndodhur vitin e kaluar do të kërkonte vlerësimin e dokumentave dhe pasqyrave financiare, për të parë nëse është e saktë vlera e zhdukur nga thesari, e po ashtu edhe nëse nxjerrja e përgjegjësive është bërë si duhet.
Zoti Sejko u zgjodh më parë si anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, dhjetorin e kaluar, duke marrë mbështetjen si të shumicës ashtu dhe të opozitës, sikundër dhe sot në komisionin e Ekonomisë. Prandaj, votimi përfundimtar të enjten e ardhshme duket se do të jetë thjesht një formalitet.
Zoti Sejko, i propozuar nga presidenti Bujar Nishani vjen pas një karriere të gjatë në sektorin Bankar dhe atë financiar.