Lidhje

“Kompromati”, praktika sovjetike, ende në fuqi në Rusi


Në vorbullën që shoqëroi akuzat e paverifikuara se Kremlini kishte material kompromentues për Presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump, një fjalë ruse hyri në fjalorin botëror – “kompromat”.

“Kremlini nuk ka kompromat rreth Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke i mohuar akuzat si trillime.

Ndërsa nuk dihet sa i vërtetë ishte ky refuzim nga zoti Peskov, pafajësia që ai vetëdeklaroi u bë shkak për një shqyrtim më të imtësishëm të fakteve.

“Më së paku, Peskovi gënjen”, i tha Zërit të Amerikës Gennady Gudkov, ish-anëtar i parlamentit rus dhe ish-oficer i Shërbimit të Sigurisë Federale të Rusisë.

“Kremlini mbledh gjithëfarëlloj materialesh kompromentuese për kundërshtarët politikë, si një praktikë e rregullt qeveritare. Ka survejim të rregullt, thyerje të llogarive të postës elektronike, monitorim dhe përgjim. I gjithë ky material rrjedhimisht përfundon në media për qëllime propagandistike”, tha zoti Gudkov.

Origjina e “Kompromatit”

Të gjitha qeveritë mbledhin të dhëna zbulimi, ndër të tjera edhe të dhëna të dëmshme për rivalët e vërtetë apo imagjinarë.

Por, “kompromati” është një praktikë ruse që lulëzoi gjatë epokës së Bashkimit Sovjetik.

Në atë kohë, KGB-ja e përdorte shpesh këtë teknikë si një mënyrë shantazhi ndaj diplomatëve të huaj, për t’i detyruar të ofronin informacion ose të shndërroheshin në spiunë. Shpesh ushtroheshin të ashtuquajturit “kurthe mjalti”, ku operativët organizonin akte seksuale, të cilat fotografoheshin fshehurazi. Kjo praktikë është ende në përdorim.

Megjithatë, në Rusinë e pas epokës së Bashkimit Sovjetik, kompromati u shtri në punët e brendshme. U shndërrua në mjetin e preferuar për të zgjidhur çështje biznesi dhe për të shkatërruar kundërshtarët politikë. Për rrjedhojë, fjala hyri edhe në fjalorin e gjuhës së përditshme.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG