Lidhje

Komuniteti ndërkombëtar shton trysninë ndaj Gadafit


Komuniteti ndërkombëtar shton trysninë ndaj Gadafit
Komuniteti ndërkombëtar shton trysninë ndaj Gadafit

Ndaj udhëheqësit libian, Moamar Gadafi po shtohet trysnia e komunitetit ndërkombëtar që ai të largohet nga Libia. Por Gadafi i tha një rrjeti televiziv amerikan se libianët e duan atë dhe se ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Zyrtarë amerikanë kanë bërë deklaratat më të forta deri tani, duke thënë se zoti Gadafi duhet të japë dorëheqjen. Ndërkohë, në qytetin Zaviya, forcat kundër Gadafit thonë se po i zbrapsin trupat besnike të udhëheqësit libian.

Zaviya është 50 kilometra në perëndim të Tripolit. Dëshmitarët i thanë Zërit të Amerikës se trupat besnike të Moamar Gadafit janë dislokuar përgjatë bregdetit, duke bllokuar hyrjen në qytet nga deti.

Një person, i cili pretendon të jetë udhëheqës i protestuesve, përshkroi për Zërin e Amerikës se çfarë ndodhi mbrëmë, ndërsa forcat pro Gadafit u përpoqën të hynin në qytet.

"Milicia që mbron Gadafin ndërmori një sulm nga ana perëndimore e qytetit Zawiya. Më pas ne arritëm të vrisnim 3 prej tyre. Të tjerët ikën".

Personi në fjalë tha se protestuesit në Zaviya kanë pak armë prandaj sipas tij, vetë libianët nuk mund ta përmbysin nga pushteti Gadafin.

"Mendoj se duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë. Forcat duhet ta arrestojnë atë dhe t’i shpëtojnë libianët prej tij; nëse gjendja e tanishme vazhdon, ne do të përjetojmë masakra të përditshme".

Dje, administrata Obama përdori një gjuhë më të ashpër për të dënuar reagimin e zotit Gadhafi ndaj situatës në vendin e tij.

"Gadafi ka humbur legjitimitetin për të qeverisur prandaj është koha që ai të japë dorëheqjen pa vonesë dhe pa shkaktuar dhunë të mëtejshme".

Por Moamar Gadafi i tha rrjetit televiziv ABC se ai ka në plan të qëndrojë në Libi sepse populli i tij e do atë.

"Ata më duan, i gjithë populli im më do. Ata do të vdisnin për të më mbrojtur mua".

Ja si u shpreh ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice:

"Një deklaratë e tillë tingëllon fare pa logjikë. Ai qesh dhe flet me gazetarët amerikanë dhe ndërkombëtarë, ndërsa masakron popullin e vet. Kjo tregon se ai nuk është i përshtatshëm të udhëheqë dhe është plotësisht i shkëputur nga realiteti".

Zëri i Amerikës siguroi këtë video nga YouTube. Koha e publikimit nuk dihet, por në të tregohet djali i Gadafit, Saif al-Islam Gadafi, që u premton armë përkrahësve të tij.

Por Saif al-Islam Gadafi mohoi njoftimet se qeveria e tij ka masakruar popullin libian.

Zëri i Amerikës foli me Skype me këtë grua në Libi e cila tha se provat e masakrës janë spitalet. Ajo kërkoi që të mos t’i tregonim fytyrën, por tha se të gjithë njerzit janë të tensionuar, edhe në rastet kur forcat besnike të Gadafit kanë dezertuar. Ajo tha se nuk e di ç’do të ndodhë më tej por thjesht dëshëron të jetë e lirë dhe fëmija e saj të luajë pa pasur frikën e dhunës.

XS
SM
MD
LG