Lidhje

Konferencë ndërkombëtare për paqe në Lindjen e Mesme


Franca është vendi mikpritës i një konference ndërkombëtare për të promovuar një zgjidhje me dy shtete për paqen në Lindjen e Mesme.

"Përgjegjësia jonë kolektive është për të sjellë përsëri në tryezën e bisedimeve izraelitët dhe palestinezët. Ne e dimë se është e vështirë, por a ka rrugë tjetër?" tha ministri i jashtëm francez Jean-Marc Ayrault në hapjen e konferencës të dielën.

Delegatë nga më shumë se 70 vende po marrin pjesë në takimin e Parisit për të deklaruar kundërshtimin e tyre ndaj vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Jeruzalemin Lindor.

Përfaqësuesit e Izraelit dhe të palestinezëve nuk marrin pjesë në takim.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thotë se takimi i Parisit është i kotë dhe i manipuluar.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ndërmorën hapin historik duke abstenuar nga një votim mbi një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila dënon Izraelin për vendbanimet e ndërtuara në territorin palestinez. Vitet e fundit në votime për projekt-rezoluta të ngjashme, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur veton, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, duke i bërë masat të pavlefshme.

Abstenimi i SHBA-së muajin e kaluar u pa si një vendim nga ana e Shtëpisë së Bardhë për të treguar pozicionimin e saj në lidhje me Lindjen e Mesme, ndërsa administrata Obama shkon drejt fundit të tetëvjeçarit të saj në detyrë.

XS
SM
MD
LG