Lidhje

Konfuzion, protesta pas urdhrit ekzekutiv për kufizimin e imigracionit


protestues në aeroportin e Çikagos

Protestat ndaj urdhrit ekzekutit të Presidentit Donald Trump që vendos kufizime për hyrjen në Shtetet e Bashkuara ndaj qytetarëve të shtatë vendeve me shumicë myslimane pritet të vazhdojnë edhe sot, ndërkohë që një gjykatë federale bllokoi përkohësisht deportimin e këtyre personave.

Urdhëri shkaktoi konfuzion të gjerë, ndërsa refugjatë, rezidentë me karta të gjelbra, studentë dhe punonjës u mbajtën në aeroportet amerikane, ose u ndaluan të hipin në avionët e linjave ajrore që udhëtojnë drejt SHBA-së.

Në orët e vona të ditës së djeshme, Gjykatësja Ann Donnelly, e distriktit të Nju Jorkut, lëshoi një urdhër emergjence që bllokon përkohësisht deportimin e personave që janë ndaluar pasi kanë mbërritur në aeroportet amerikane me viza të rregullta. Urdhëri gjithashtu nuk lejon ndalimin e refugjatëve që kanë aplikuar tashmë.

Gjykatësja Donnelly shprehet në urdhërin e saj se “ekziston rreziku që, edhe pa deportimin, të shkaktohen dëme thelbësore dhe të pariparueshme ndaj refugjatëve, udhëtarëve me viza, si dhe individëve të tjerë nga kombe të tjera” që bëhen subjekt i urdhërit të Presidentit.

Të shtunën, grupe të mëdha protestuesish u mblodhën në disa aeroporte amerikane për të protestuar dhe avokatët, shumica nga Bashkimi Amerikan për Liritë Civile, shkuan në aeroporte për të ndihmuar të ndaluarit ose udhëtarë të tjerë me destinacion Shtetet e Bashkuara që janë bllokuar jashtë vendit.

Në një deklaratë që nxorri sot Departamenti i Sigurisë Kombëtare, thuhej se kjo agjenci do ta respektojë vendimin e gjykatës, por më tej shtohej se “do të zbatojë gjithashtu “urdhrin ekzekutiv të Presidentit për t’u siguruar që ata që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nuk përbëjnë kërcënim për vendin tonë dhe popullin amerikan”. Sipas njoftimeve nga autoritetet federale, të paktën 170 vetë janë ndaluar që kur Presidenti Trump nënshkroi urdhrin të premten.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG