Lidhje

Kongresi amerikan nuk arrin marrëveshje rreth buxhetit federal


Kongresi amerikan nuk arrin marrëveshje rreth buxhetit federal
Kongresi amerikan nuk arrin marrëveshje rreth buxhetit federal

Negociatat po vazhdojnë në Kongresin amerikan në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi nivelet e shpenzimeve për buxhetin e qeverisë federale për vitin 2011. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner thotë se nuk arriti një marrëveshje të martën gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Obama. Më pas, bisedimet mes ligjvënësit Boehner dhe udhëheqësit të shumicës në Senat, demokratit Harry Reid, u përshkruan si produktive, por pa arritur ndonjë mirëkuptim. Marrëveshja e përkohshme për financimin e qeverisë amerikane skadon në fund të javës. Nëse Kongresi nuk bie dakord për buxhetin, atëherë do të ketë një bllokim të pjesshëm të funksionimit të qeverisë nga i cili do të preken miliona amerikanë.

Ligjvënësit kanë debatuar prej disa muajsh buxhetin e këtij viti të qeverisë federale, me republikanët që kërkojnë shkurtime të mëdha në programet e brendshme me të cilat krenohen demokratët, përfshi disa programe sociale për të varfrit dhe të moshuarit si dhe shkurtime për ndihmat financiare për studentët që vijnë nga familjet me të ardhura të ulëta.

Presidenti Obama tha të martën se demokratët i kanë plotësuar kërkesat e republikanëve për shkurtimin e shpenzimeve dhe se ligjvënësit republikanë nuk duhet të lënë ideologjinë të bëhet pengesë për mënjanimin e bllokimit të pjesshëm të qeverisë çfarë mund të sjellë probleme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Zoti Obama u bëri thirrje republikanit Boehner dhe udhëheqësit të shumicës në Senat, demokratit Harry Reid, që të zgjidhin çështjet e buxhetit për vitin 2011, duke thënë se nëse nuk zgjidhet, ai mund t’u kërkojë atyre që të shkojnë sot përsëri në Shtëpinë e Bardhë.

“Do të ishte e pafalshme për ne mosqenia në gjendje për të mbaruar punën e vitit të kaluar – ne po merremi me një buxhet që mund të ishte përfunduar tre muaj më parë apo dy muaj më parë; jemi kaq pranë si rezultat i politikave.”

Republikani Boehner tha se bisedimet po vazhdojnë por ai hodhi poshtë se ishte arritur ndonjë marrëveshje për shkurtimin e 33 milion dollarëve në buxhet.

“Ne e kemi bërë të qartë se po luftojmë për shkurtimet më të mëdha të mundura. Ne po flasim për shkurtime reale të shpenzimeve pa e fshehur qëllimin. Po ashtu e kemi bërë të qartë se asnjëherë nuk ka patur një marrëveshje për 33 miliard dollarë, dhe se ne do të vazhdojmë të luftojmë për shkurtimin më të madh të mundshëm.”

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët miratoi një buxhet me 60 miliard dollarë shkurtime, por dështoi të miratohet në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Disa republikanë konservatorë për shpenzimet buxhetore që i përkasin lëvizjes Tea Party po hedhin poshtë çdo lloj kompromisi për shkurtimin e shpenzimeve, duke e vënë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në një pozitë të vështirë.

Presidenti Obama, zoti Boehner dhe dy udhëheqës të tjerë të Kongresit amerikan njoftohet se kanë diskutuar shkurtimet në shpenzimet e brendshme që kapin shumën e 30 miliard dollarëve, pranë shifrave të kërkuara fillimisht nga zoti Boehner.

Një bllokim i pjesshëm i qeverisë federale do të nënkuptonte që miliona punonjës federal që nuk konsiderohen të jenë qendrorë nuk do të shkojnë në punë deri sa të arrihet marrëveshja buxhetore. Siguria kombëtare nuk do të preket, por shërbime si ato të pasaportave apo vizave mesa duket do të pezullohen.

Shumë ligjvënës demokratë dhe mbështetës të familjeve punëtore thonë se republikanët duan të reduktojnë borxhin kombëtar në kurriz të të varfërve dhe amerikanëve në pozitat më të pafavorshme, përfshi fëmijët dhe të moshuarit.

Një prej tyre është presidentja e Fondit për Mbrojtjen e Fëmijëve Marian Wright Edelman.

“Ata po u heqin kafshatën nga goja bebeve të dobëta dhe nënave të tyre. Çfarë vendi është vendi më i pasur në botë që do të hiqte kafshatën nga goja fëmijëve ndërkohë që do të shkurtonte taksat për miliarderët dhe milionerët.”

Republikanët thonë shpenzimet qeveritare janë jashtë kontrollit dhe theksojnë se demokratët dështuan të miratonin buxhetin vitin e kaluar kur ata ende kishin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit. Ligjvënësit kanë shpenzuar kaq shumë kohë duke debatuar buxhetin e këtij viti i cili tani po bie ndesh me përpjekjet për të filluar diskutimet për buxhetin e vitit 2012.

Të martën, republikani Paul Ryan, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për buxhetin, njoftoi propozimin e partisë së tij për vitin 2012, i cili përfshin më shumë shkurtime në shpenzimet qeveritare dhe një rishikim të programeve popullore të qeverisë për kujdesin shëndetësor për të varfërit dhe të moshuarit. Ligjvënësi Ryan thotë se beson se reduktimi i borxhit kombëtar është një domosdoshmëri morale.

“Sa për fillim, ne propozojmë të shkurtojmë 6,2 trilion dollarë në shpenzimet qevritare gjatë 10 viteve të ardhshme nga buxheti i presidentit. Ne e reduktojmë borxhin si përqindje ndaj ekonomisë, ne e vëmë vendin në rrugën drejt shlyerjes së borxhit kombëtar. Synimi ynë është që fëmijët dhe nipërit tanë të kenë një vend pa borxhe.”

Demokratët në Senat mesa duket do ta hedhin poshtë propozimin në fjalë, por ekspertët thonë se do të ndihmojë në krijimin e një kornize debatesh afatgjata në trajtimin e pjesëve më të mëdha të shpenzimeve në buxhetit federal.

XS
SM
MD
LG