Lidhje

Çfarë opsionesh të tjera ka Kongresi amerikan për të hetuar ndërhyrjen e Rusisë?


Pas shkarkimit të papritur të drejtorit të FBI-së James Comey nëpërmjet një letre me katër paragrafë të Presidentit Donald Trump, shumë demokratë dhe disa republikanë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve rekomandojnë caktimin e një prokurori të posaçëm për të shqyrtuar lidhjet e mundshme ndërmjet Presidentit Donald Trump dhe ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, gjë që po hetohej nga zoti Comey përpara shkarkimit të tij.

Por, çfarë është një prokuror i posaçëm? Dhe a ka Kongresi vetëm këtë mekanizëm për të vepruar?

Si po reagojnë ligjvënësit ndaj shkarkimit të zotit Comey?

Pati senatorë republikanë që lavdëruan shkarkimin duke thënë se një udhëheqje e re në FBI do të rikthente besimin e publikut tek kjo organizatë, ndërsa të tjerë u shprehën të befasuar.

Pothuajse të gjithë ligjvënësit demokratë e dënuan këtë lëvizje. Kreu i demokratëve në Komisionin për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, tha se një prokuror i pavarur do të rikthente besimin e publikut.

Por, një ndër reagimet më interesante erdhi nga radhët e republikanëve. Ligjvënësi Justin Amash tha në Twitter se po shikon mundësinë e një komisioni të pavarur për Rusinë, dhe se paragrafi i dytë i letrës së shkarkimit është i çuditshëm.

Çfarë roli do të kishte një komision i pavarur?

Shumë demokratë, ndër ta edhe udhëheqësja e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi, kanë bërë thirrje prej muajsh për një panel të pavarur që do të hetonte çështjen e Rusisë. Ky komision do të merrte një trajtë të ngjashme me komisionin që hetoi sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Këto lloj hetimesh kanë kosto të lartë pasi kryhen nëpërmjet stafit të tyre dhe një buxheti që do të miratohej nga Kongresi dhe do të firmosej nga Presidenti Donald Trump.

Komisionet mund të luajnë rolin e rëndësishëm të një zëri të pavarur, të një trupe të përbërë nga ekspertë dypartiakë dhe nga ish-zyrtarë të qeverisë, të cilët do të vepronin veçmas shqetësimeve politike të hetimeve që po zhvillohen nga anëtarët e Kongresit. Këto lloj komisionesh shpesh u përgjigjen edhe pyetjeve më të mëdha, si rreth arsyeve përse u krijua kjo situatë dhe si mund të shmanget ajo në të ardhmen.

Përse do të miratonte Presidenti Trump buxhet për një komision të pavarur?

Presioni i publikut për një hetim të pavarur mund ta shtyjë administratën të miratojë fondet për krijimin e një komisioni, duke qetësuar kështu pikëpyetjet për transparencën. Por, kjo do të shtonte një tjetër strukturë në një fushë tashmë të mbingarkuar, si dhe do të shpërqëndronte vëmendjen ndërsa Kongresi përpiqet të miratojë reformën e sistemit të kujdesit shëndetësor, reformën e sistemit të taksave dhe buxhetin për vitin 2018.

Kush emëron një këshilltar ligjor të posaçëm dhe çfarë dallimi ka nga një prokuror i posaçëm?

“Këshilltar ligjor i posaçëm” dhe “prokuror i posaçëm” janë dy mënyra të të thënit të së njëjtës gjë. Në të dyja rastet, personi është zakonisht një jurist i respektuar ose një ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë.

Deri në vitin 1999, shumica në Komisionet e Gjyqësorit në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve kishin të drejtën të kërkonin emërimin e një këshilltari të posaçëm ligjor ose të një prokurori, të përzgjedhur nga një panel prej tre gjyqtarësh. Ky parashikim ligjor nuk është më në fuqi, pasi skadoi në vitin 1999 dhe nuk u rinovua nga Kongresi.

Aktualisht, këtë fuqi e ka Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, i cili është vetëtërhequr nga pjesëmarrja në hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, pasi kjo gjë iu rekomandua nga zyrtarët për etikën në Departamentin e Drejtësisë. Rrjedhimisht, autoriteti për caktimin e një këshilltari të posaçëm ligjor i kalon Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm.

Kongresi sidoqoftë mund të rrisë presionin publik për caktimin e një prokurori të posaçëm nëpërmjet hetimeve të vazhdueshme në komisione.

Kongresi mundet gjithashtu të kalojë një ligj të ri që do të rikthente parashikimin ligjor të periudhës përpara vitit 1999.

A nuk po zhvillohen tashmë hetime në Kongres?

Ka disa hetime të ndryshme që po kryhen nga komisionet në Kongres për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, si dhe për ndonjë rol të mundshëm që mund të kenë patur në këtë ndërhyrje bashkëpunëtorët e zotit Trump gjatë fushatës elektorale.

Më 20 mars, drejtori i FBI-së James Comey njoftoi gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve se agjensia e tij po zhvillonte hetime për këtë çështje. Kundërshtarët e një hetimi të pavarur thonë se hetimi që po zhvillon FBI-ja nuk duhet të dublohet nga një tjetër hetim. Ky debat është ringjallur tashmë pas shkarkimit të zotit Comey dhe ringritjes së pikëpyetjeve për konflikte interesi dhe pavarësisë së hetimit të FBI-së.

Çfarë opsionesh të tjera ka Kongresi?

Opsioni përfundimtar që ka Kongresi është fuqia për shkarkimin nëpërmjet akuzimit dhe gjykimit të zyrtarëve të qeverisë, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Procesi fillon nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila ngre akuzat, dhe vazhdon në Senat ku zhvillohet procesi i gjykimit. Dy presidentë amerikanë, Andrew Jackson dhe Bill Clinton, janë akuzuar në këtë mënyrë nga Dhoma e Përfaqësuesve, por u deklaruan të pafajshëm nga Senati. Ndërsa Richard Nixon dha dorëheqjen përpara se të akuzohej nëpërmjet këtij procesi.

Kjo lloj procedure mund të fillohet nëse zyrtari ka kryer “tradhëti, korrupsion, ose krime dhe shkelje të tjera të rënda”. Ekziston një debat i gjerë se si duhen përkufizuar këto terma.

Pavarësisht kritikëve të Presidentit Trump, ka shumë pak gjasa që një Kongres i kontrolluar prej republikanëve të fillonte procesin e ngritjes së akuzave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG