Lidhje

Republikanët dhe politika e jashtme amerikane


Në Shtetet e Bashkuara, tani që republikanët do të jenë në kontroll të Senatit pas zgjedhjeve të djeshme të mesit të mandatit, presidenti Barak Obama pritet të përballet me një panoramë të ndryshme të politikës së jashtme, gjatë dy viteve të tij të fundit në detyrë.

Kontrolli i republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit do të kufizojë hapësirën e presidentit për të manovruar në dy prej objektivave kryesore të politikës së jashtme, thotë profesori i Universitetit Amerikan Guy Ziv.

"Kjo do t'i krijojë shumë më tepër vështirësi Presidentit Obama për atë lloj progresi që ai do të donte të shihte në dy drejtime: negociatat bërthamore me Iranin dhe procesin izraelito-palestinez të paqes. Për fat të keq të dyja këto çështje kanë qenë përdorur gjatë disa viteve si top futbolli për luftë politike në Kongres."

Bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit janë planifikuar të përfundojnë në fund të këtij muaji. Negociatorët ndërkombëtarë po përpiqen të bindin Iranin që të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të disa sanksioneve ekonomike.

Shumë republikanë në Senat nuk dëshirojnë një marrëveshje që ta lejonte Teheranin të vazhdojë çdo lloj pasurimi të uraniumit, por presidenti Obama ka tashmë autoritetin për t'i hequr sanksionet amerikane pa miratimin e Kongresit.

Analisti i Institutit Cato Justin Logan thotë se kjo mund të ndryshojë tani që republikanët do të veprojnë më me forcë ndaj Iranit.

"Ka mundësi që republikanët, duke qenë tani në kontroll, të paraqesin projektligje për sanksione kundër Iranit që nuk mund të anashkalohen nga Presidenti. Por kjo do të kërkonte që Kongresi të merrte përgjegjësi për këtë politikë dhe historikisht republikanët kanë qenë shumë të kujdesshëm për këtë lloj përgjegjësie."

Senatori republikan John McCain ka qenë ai që ka ngritur zërin më shumë kundër mbështetjes së ngadaltë amerikane për rebelët e moderuar në Siri dhe mund të kërkojë një rol ushtarak më aktiv, thotë analisti i Këshillit të Atlantikut Robert Manning.

"Gjasat janë që Senatori McCain të marrë kryesinë e Komisionit të Forcave të Armatosura në Senat, dhe mendoj se kjo mund të ngjallë polemika në aspektin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe disa prej aktiviteteve tona ushtarake në Lindjen e Mesme apo rajone të tjera."

Ndonëse SHBA kanë filluar një program për të trajnuar dhe armatosur rebelët sirianë, kjo çështje nuk ka të ngjarë të shkojë larg duke pasur parasysh luftën kundër militantëve të shtetit islamik.

"Një program i tillë ekziston. Ai nuk po zbatohet në atë mënyrë që do të dëshironte Senatori McCain. Pra unë mendoj se ndryshimi këtu do të varet nga drejtimi që do të marrin gjërat në Senat dhe se si republikanët e Senatit mund të ndikojnë në pasqyrimin e çështjeve në media."

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki thotë se diplomatët amerikanë bashkëpunojnë në mënyrë të barabartë me cilindo palë që ka kontrollin në Kongres.

"Departamenti i Shtetit është një institucion jopartiak, ku ne punojmë me demokratët dhe republikanët, kështu që ne do ta vazhdojmë punën duke patur këtë në mendje."

Përsa i përket Sekretarit të Shtetit John Kerry, gjatë fushatës ka patur njoftime në shtyp që citonin burime të administratës Obama, ku ai kritikohej si "i shkëputur" nga Presidenti në punën e tij si kryediplomat. Por sipas zëdhënëses Psaki, Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se ai do të vazhdojë në këtë detyrë.

XS
SM
MD
LG