Lidhje

SHBA: Kongresi shqyrton marrëdhëniet me Pakistanin


SHBA: Kongresi shqyrton marrëdhëniet me Pakistanin
SHBA: Kongresi shqyrton marrëdhëniet me Pakistanin

Një ish-këshilltar amerikan i sigurisë kombëtare thotë se e ardhmja e marrëdhënieve amerikano-pakistaneze duket se po përcaktohet tani pas vrasjes së Osama bin Laden, duke shtuar se Pakistani duhet të ndryshojë sjelljen nëse do të shpëtojë lidhjet e tendosura me Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman, njofton nga kongresi amerikan, ku gjenerali në pension, Xhejms Xhons, dëshmoi gjatë një seancë dëgjimore.

Për javë të tëra, ligjvënësit amerikanë po diskutojnë nëse miliarda dollarë në ndihma amerikane për Pakistanin janë pará të shpenzuara me vend. Senatori republikan Xhejms Rish nga Ajdaho vuri në dukje ndjenjat e përhapura anti-amerikane në Pakistan që duket se janë intensifikuar që kur Forcat Speciale Amerikane sulmuan kompleksin e bin Ladenit në afërsi të Islamabadit.

“Çdo anketë që vjen nga atje tregon se ata nuk na duan. Patën tragjedinë e tmerrshme me përmbytjet vitin e kaluar. Ne u shkuam në ndihmë, ishim të parët aty. Dërguam ushtrinë, shpëtuam jetë njerëzish. Pastaj, shpenzuam qindra miliona dollarë për rindërtimin e urave që u dëmtuan. Qytetarët e Ajdahos pyesin pse po shpenzojmë paratë e fëmijëve e nipërve tanë ‘për ta ndihmuar një vend që vërtet nuk na do’?”- tha ligjvënësi.

Zoti Rish shprehu mospëlqimin e tij ndaj komenteve të kryeministrit pakistanez, Jusuf Raza Gilani, i cili kohëve të fundit përshkroi Kinën si mik “të vërtetë” të Pakistanit.

Dëshmitar para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë ishte edhe ish-këshilltari i Presidentit Barak Obama për siguri kombëtare, Xhejms Xhons. Gjenerali i marinsave, tani i dalë në pension, foli hapur lidhur me veprimet që i kërkohen Pakistanit në të ardhmen.

“Duhet të ketë ndryshim në mënyrën e sjelljes”.

Gjenerali shtoi se ajo që ndodh në javët në vijim do të ketë “pasoja [të rëndësishme] strategjike” për marrëdhëniet amerikano-pakistaneze në të ardhmen dhe se “përgjegjësia i takon më shumë Pakistanit”, kur është fjala për të ndrequr punët.

Kryetari i komitetit, senatori demokrat Xhon Keri nga Masaçusets, tha se Shtetet e Bashkuara kanë 100 mijë arsye për të ruajtur një marrëdhënie të frytshme me Pakistanin: angazhimi i trupave amerikane në Afganistanin fqinj.

Zoti Keri kryesoi seancën dëgjimore pas kthimit nga një udhëtim në Pakistan. Senatori i përcolli kërkesat për bashkëpunim më të madh të Pakistanit me Shtetet e Bashkuara, por shtoi edhe këtë:

“Ne duhet të kujtojmë se Pakistani ka sakrifikuar së tepërmi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Mbi 35 mijë qytetarë të këtij vendi kanë humbur jetën si pasojë e veprimeve ekstremiste të dhunshme. Pakistanezët vetë po vuajnë nga kryengritja në vendin e tyre. Mbi 5 mijë ushtarë u janë vrarë në përpjekjet kundër kryengritësve pranë kufirit me Afganistanin”.

Anëtari më i lartë republikan në komision, senatori Riçard Lugër i Indianës, tha se reputacioni i Pakistanit si vend që lufton kundër terrorizmit pengohet nga toleranca ndaj militantëve në Afganistan dhe grupeve aleate të talebanëve. Zoti Lugër tha se këto rrethana kundërthënëse kanë pasoja për ndihmën amerikane në të ardhmen.

“Pakistanezët duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara nuk japin para pa fund pa përgjegjësi. Në të ardhmen, Pakistani duhet të bëjë shumë më tepër se ç’ka bërë për të çrrënjosur terroristët nga territori i vet” - tha zoti Luger.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Xhons, tha se Pakistani do të vazhdojë të jetë aleat i përmbajtur i Shteteve të Bashkuara për aq kohë sa ai beson se angazhimi dhe ndihma e fuqishme amerikane në rajon nuk do të vazhdojnë pas largimit të trupave amerikane nga Afganistani.

XS
SM
MD
LG