Lidhje

Kongresmeni Uiner në qendër të një skandali seksual


Kongresmeni Uiner në qendër të një skandali seksual
Kongresmeni Uiner në qendër të një skandali seksual

Anëtari demokrat i Kongresit amerikan nga New Yorku, Anthony Weiner pranoi se i kishte dërguar një studenteje një fotografi të tij të papërshtatshme, përmes Twitterit. Zoti Weiner mohoi për gati 10 ditë të kishte vënë në Twitter këtë fotografi, por dje ai kërkoi falje që gënjeu dhe tha se nuk do të japë dorëheqje nga posti në Kongres.

Pasi e kishte mohuar për një javë të tërë në një seri intervistash, ligjvenësi Weiner e pranoi si ishte ai autori i fotografisë. Në një konferencë shtypi mbrëmë në Nju Jork, ai përsëriti disa herë se kishte bërë gabime të tmerrshme dhe një budallallëk të madh, për të cilën mbante përgjegjësi të plotë, madje ai i kërkoi disa herë falje bashkëshortes.

Zoti Weiner pranoi gjithashtu se kishte zhvilluar biseda të papërshtatshme në Internet edhe në telefon me 6 femra para dhe pasi ishte martuar kohët e fundit. Por ai tha se nuk ishte takuar personalisht me asnjërën prej këtyre femrave dhe nuk kishte pasur marrëdhënie fizike jashtë martesës së tij një vjeçare. Bashkëshortja e tij, Huma Abedin, ka qënë për një kohë të gjatë ndihmëse e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton. Zoti Weiner tha se gruaja e tij e mësoi të vërtetën dje në mëngjes.

46 vjeçari Weiner, demokrat liberal, këmbënguli se nuk kishte shkelur ndonjë ligj, madje tha se do të bashkëpunonte plotësisht me hetimet e komisionit përkatës të Dhomës së Përfaqësuesve. Me sytë e mbushur me lot dhe zërin që i dridhej, zoti Weiner iu përgjigj dhjetra pyetjeve të gazetarëve që thërrisnin në konferencën e shtypit në Manhattan.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi kërkoi që Komisioni i Etikave i Kongresit të bëjë hetime për të përcaktuar nëse ligjvenësi kishte përdorur burime zyrtare apo nëse kishte shkelur rregulla të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ndaj zotit Weiner është shtuar presioni pasi një fotografi e tij e papërshtatshme i shkoi një gruaje në shtetin e Uashingtonit nëpërmjet Twitterit. Për disa ditë, ai pretendonte se ishte viktimë e piratërisë kibernetike.

Analistët thonë se zotit Weiner mund t’i bëhet presion nga kolegët e tij demokratë që të japë menjëherë dorëheqjen, për të parandaluar mundësinë që skandali të marrë përmasa edhe më të mëdha. Disa fotografi të zotit Weiner qarkulluan dje në Internet në të cilat ai pozonte pa këmishë, duke treguar muskujt e tij.

Ka pasur spekullime se zoti Weiner kishte në plan të kandidonte për postin e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut në zgjedhjet e vitit 2013. Tani e ardhmja e tij politike është në dyshim.

Skandali filloi para më shumë se një jave kur një faqe konservatore interneti njoftoi se një fotografi e një mashkulli ishte dërguar nga llogaria në Twitter e zotit Weiner tek një studente në Seattle të shtetit Uashington.

Skandali u përshkallëzua dje kur faqja e internetit BigGovernment.com, e administruar nga aktivisti konservator Andrew Breitbart, publikoi fotografi të zotit Weiner, që thuhet të jenë marrë nga një grua tjetër të dërguara nga ligjvenësi.

XS
SM
MD
LG