Lidhje

Senati kundër propozimit për kontrollin e armëve


Senati amerikan hodhi poshtë propozimin dypartiak për të zgjeruar kontrollet e biografisë për personat që duan të blejnë armë zjarri, megjithëse anketat tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve e mbështesin këtë masë.

Pesëdhjetë e katër senatorë votuan pro propozimit, por në bazë të rregullave të Senatit, masa nuk mund të miratohet pa marrë 60 vota pro.

Projekt-ligji do të kishte zgjeruar kontrollin e biografisë për personat që duan të blejnë armë, duke përfshirë blerjet në panaire armësh dhe përmes internetit, por do të përjashtonte personat që blejnë armë nga të afërmit.

Presidenti Barack Obama e cilësoi votën si një ditë turpi në Uashington. Ai tha se lobi i armëve të zjarrit dhe aletatët e tij kanë gënjyer me ndërgjegje të plotë për projekt-ligjin dhe senatorët që e kundërshtuan projekt-ligjin ishin influencuar nga frika dhe nxitur nga karriera politike.

Zoti Obama ka kërkuar forcimin e ligjeve për kontrollin e armëve, që pas masakrës së 14 dhjetorit në një shkollë fillore në Konektikat, ku gjetën vdekjen 26 civilë, 20 prej të cilëve fëmijë.
XS
SM
MD
LG