Lidhje

Hetimet ndaj presidentes koreanojugore


Procesi i fillimit të hetimeve për shkelje nga presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye sot hyri në fazën përfundimtare të tij, ndërkohë që Presidenti në detyrë dhe Kryeministri Hwang Kyo-ahn nuk pranuan të zgjëronin hetimin e pavarur mbi skandalin e korrupsionit. Ekipi i prokurorisë speciale u krijua në dhjetor për shkak të shqetësimeve se prokurorët e emëruar nga administrata e presidentes Park mund të perceptoheshin si njerëz me konflikt interesi.

Presidentja Park dhe ekipi i saj mbrojtës kanë refuzuar të bashkëpunojnë, ndërsa Presidenti në detyrë Hwang hodhi poshtë një kërkesë për të kontrolluar zyrat e saj në Shtëpinë Blu me arsyetimin se ky veprim do të kërcontonte sigurinë kombëtare.

Një zëdhënës i presidentit në detyrë tha se ishte në interesin më të mirë të vendit që hetimi të përfundonte ashtu siç ishte planifikuar.

"Qëllimi kryesor i ligjit për hetim të posaçëm është realizuar pasi hetimi ka shkuar deri në në pikën ku figurat kryesore dhe njerëzit e përfshirë në skandal, përfshirë këshilltaren e Presidentes Park, Choi Soon-sil tashmë janë akuzuar ose hetimet ndaj tyre kanë përfunduar".

Gjatë mandatit të tij 90 ditor, hetimet e ekipit të prokurorisë speciale kanë çuar në ngritjen e akuzave ose arrestimin e disa anëtarëve të elitës politike dhe të biznesit të lidhura me skandalin e korrupsionit, duke përfshirë kreun e grupit “Samsung”, Jay Y. Lee.

Ligjvënësit e Koresë së Jugut votuan me shumicë dërrmuese në dhjetor për të hequr Presidenten Park nga detyra për shkak se në bashkëpunim me miken e saj të ngushtë, Choi Soon-sil ajo ka marrë më shumë 69 milionë dollarë donacione nga konglomeratet koreane për dy fondacione të dyshimta në këmbim të favoreve politike.

Presidentja Park është pezulluar nga detyra, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e vendit po shqyrton rastin.

Nëse Gjykata mban në fuqi vendimin e parlamentit dhe të prokurorisë speciale, atëherë brenda 60 ditëve në vend do të duhet të mbaheshin zgjedhje speciale.

Skandali ka ndarë thellësisht vendin. Këtë fundjavë dhjetëra mijëra protestues anti-Park përsëri organizuan një tubim të madh në Seul, duke bërë thirrje për dorëheqjen e presidentes. Çdo javë që nga shpërthimi i skandalit janë zhvilluar protesta kundër presidentes Park.

XS
SM
MD
LG