Lidhje

Koreja e Veriut testoi një raketë balistike


Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti është informuar për testin e fundit të raketave të Koresë së Veriut, i cili dështoi pak pas lëshimit dhe raketa u prish mbi një rajon brenda vendit. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson mbajti një fjalim në OKB të premten, duke i dhënë një paralajmërim Koresë së Veriut dhe duke thënë se Uashingtoni nuk e përjashton një përgjigje ushtarake.

Një deklaratë e shkurtër e lëshuar nga zyra e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë tha vetëm se administrata e presidentit Trump është e informuar për ngjarjen.

Por zoti Trump postoi në Twitter reagimin e tij: “Koreja e Veriut nuk i respektoi vullnetin e Kinës dhe presidentit të saj shumë të respektuar kur lëshoi, megjithëse pa sukses, një raketë sot. Shumë keq!”

Agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut testoi një raketë balistike të shtunën herët, sipas kohës lokale.

Lëshimi i raketës ndodhi vetëm disa orë pasi Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të ndërmarrin veprime sa më parë që të jetë e mundur.

“Për shkak të rrezikut në rritje, ka ardhur koha për të gjithë ne që t’i ushtrojmë presion të ri Koresë së Veriut për të braktisur këtë rrugë të rrezikshme. Unë i bëj thirrje këtij këshilli të veprojë para se të veprojë Koreja e Veriut” tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit tha të premten se Uashingtoni nuk do të përjashtojë një reagim ushtarak ndaj agresionit të ardhshëm të Koresë së Veriut dhe se do të kërkojë të shtojë izolimin financiar dhe ndërkombëtar të vendit.

Zoti Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë presion të intensifikuar ndaj Koresë së Veriut, duke përfshirë sanksione të reja ndërkombëtare. Por ai këmbënguli se Amerika nuk ka për qëllim ndryshimin e regjimit.

Komandanti David Benham i Komandës Amerikane të Paqësorit tha se nisja e raketave balistike ndodhi pranë aeroportit Pukchang, në veri të kryeqytetit Phenian, dhe konfirmoi se raketa nuk u largua nga territori i Koresë së Veriut.

Komandanti Benham tha se Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës së Amerikës së Veriut (NORAD) arriti në përfundimin se raketa nuk përbënte një kërcënim për Amerikën e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG