Lidhje

Administrata Trump dhe politika ndaj Phenianit


Megjithë retorikën e fortë të Presidentit Donald Trump për të mbajtur nën kontroll kërcënimin që paraqet programi bërthamor i Koresë së Veriut, opsionet amerikane duket se janë pak a shumë ato që kanë qenë nën politikën e Durimit Strategjik të Presidentit Obama.

Durimi Strategjik nënkuptonte një politikë ku Shtetet e Bashkuara nuk do të komunikonin me regjimin e Kim Jong Unit deri kur ky regjim të zotohej t’i jepte fund programit bërthamor, ndërkohë që SHBA reagonin ndaj provokimeve me masa më të qarta ustarake për t’i bindur koreano-veriorët të ndalnin akte të tilla, po ashtu edhe përmes sanksioneve ekonomike dhe izolimit diplomatik.

“Mendoj se ka tre alternativa. Njëra është të dorëzohemi që të qetësojmë Korenë e Veriut, duke i dhënë asaj të gjitha ato që kërkon. E dyta është një luftë parandaluese, pra përdorim force për të çarmatosur Phenianin. E treta, që e shikoj si alternativën më të mirë, është kontrolli i rrezikut,” thotë analisti Daniel Pinkston i Universitetit Troy në Seul.

Durimi Strategjik

Qeveria e zotit Kim ka reaguar duke sfiduar masat ndëshkimore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, ku përfshihen sanksione të forta të OKB-së, si dhe e ka shpallur Korenë e Veriut një shtet bërthamor dhe ka shtuar provat me raketa bërthamore dhe balistike.

Gjatë vizitës në Seul, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson hodhi poshtë shprehimisht strategjinë e administratës së mëparshme, por theksoi edhe disa parime ekzistuese duke folur për “mbështetje të palëkundur” për Korenë e Jugut dhe Japoninë dhe duke refuzuar propozimin e Pekinit për të pranuar ngrirjen në stadin aktual të kapaciteteve bërthamore të Phenianit në shkëmbim për ndalimin e manovrave të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut.

“Vetë nocioni mbi të cilin mbështetet politika e Durimit Strategjik, në fakt është i pavlerë nëse udhëheqja e Koresë së Veriut nuk tregon synime të pastra për çmilitarizim bërthamor, në vend të ngrirjes së përkohëshme të kapaciteteve, prandaj SHBA nuk do të angazhohet në negociata me Phenianin. Ky nocion mbetet baza e politikës së re,” thotë analisti politik Bong Young-shik i Institutit Universitar Yonsei për Studime mbi Korenë e Veriut.

Megjithëse Sekretari Tillerson nuk përjashtoi masa ushtarake kundër një sulmi koreano-verior apo një kërcënimi ekzistencial nga armë të avancuara nga Korea e Veriut, ai theksoi se përparësi e administratës së re, ashtu si nën administratën Obama është presioni ndaj qeverisë së Phenianit për ta detyruar të ndryshojë kurs përmes masave imponuese ushtarake dhe sanksioneve ekonomike.

Kërcëimi nga Raketat Balistike Ndërkontinentale

Përparimet e fundit teknologjike tregojnë se Pheniani është më pranë zhvillimit të një rakete balistike ndërkontinentale të aftë të arrijë territorin e SHBA. Kjo ka zgjuar shqetësime në Uashington.

Gjatë turneut në Azi të zotit Tillerson, Korea e Veriut kreu një provë me një raketë me motor të fuqishëm, që sipas Koresë së Jugut tregon përparim të dukshëm. Agjencia koreano-veriore e lajmeve KCNA tha dje se motori do ta ndihmonte Phenianin të arrinte kapacitete të avancuara të lëshimit satelitor, por autoritetet koreano-jugore nuk e konfirmuan këtë deklaratë.

Presidenti Trump tha për gazetarët gjatë fundjavës se kishte zhvilluar takime mbi këtë temë, por nuk foli specifikisht për provën me raketë, duke thënë thjesht se Kim Jong Un “po vepron shumë, shumë keq”.

Kina

Presidenti Trump ka bërë kritika në adresë të Pekinit për mos mbajtjen e një qëndrimi më të rreptë ndaj aleatit të saj, Phenianit. Kina ka dëshmuar se nuk është e gatshme të mbajë qëndrim të ashpër që mund të krijojë destabilitet dhe të rrezikojë regjimin e Kim Jong Unit.

Por në takimet me Sekretarin Tillerson, Presidenti kinez Xi u shpreh me një ton më pajtues, duke thënë se marrëdhëniet SHBA-Pekin mund të përkufizohen nga bashkëpunimi dhe miqësia.

Disa analistë, si zoti Bong, thonë se prapa dyerve të mbyllura, Sekretari Tillerson mund të ketë ofruar një marrëveshje me koncesione të mëdha për Kinën, në shkëmbim për angazhimin e Pekinit për të ndalur kërcënimin bërthamor nga Korea e Veriut.

“Lista e kushteve që ka të ngjarë të propozojë Pekini do të përfshinte interesat kryesore të Kinës në Detin e Kinës së Jugut dhe kushtin që SHBA të mos fusin hundët në punët e brendshme të Pekinit,” thotë analisti Bong.

Shqetësimet po shtohen në Azi lidhur me masat agresive të Kinës në Detin e Kinës së Jugut, përfshirë ndërtimin e ishujve artificialë që të shërbejnë si baza ushtarake, si dhe pretendimet territoriale mbi zona dhe korridore të rëndësishme ujore. Pekini është irrituar nga kritikat amerikane dhe ndërkombëtare lidhur me shkelje të të drejtave të njeriut dhe arrestime arbitrare të disidentëve si dhe censurë.

Analistë të tjerë thonë se Kina nuk pritet të marrë masa më të ashpra ndaj Koresë së Veriut, pasi akte të tilla do të forconin pozitat e SHBA dhe Koresë së Jugut në rajon. Analisti Pinkston thotë se administrata Trump mund të zgjerojë sanksionet duke përfshirë në to kompani të tjera kineze që bëjnë biznes me Korenë e Veriut, por masa të tilla janë marrë edhe nga administrata e mëparshme.

“Ndoshta administrata e re do të përdorë taktika të reja për të ndëshkuar firmat dhe individët dhe për t’i bërë presion Phenianit, por ky është një zbatik taktik dhe jo ndryshim në politika, mendoj unë” shprehet analisti Pinkston.

XS
SM
MD
LG