Lidhje

Dokumenti zbulon politikën e brendshme të Phenianit kundër çarmatosjes bërthamore


Një dokument zyrtar i Koresë së Veriut i siguruar nga Zëri i Amerikës sugjeron se Kim Jong Un nuk ka ndërmend të heqë dorë nga armët bërthamore, një qëndrim që duket se bie në kundërshtim me sigurinë e administratës së Presidentit Trump se Koreja e Veriut do të çnuklearizohet.

Dokumenti është një udhëzim për zyrtarët e lartë ushtarakë të Phenianit para samitit të dytë të udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un me Presidentin amerikan Donald Trump. Dokumenti e bën të qartë se për udhëheqësin Kim Jong Un takimi në Hanoi për arritjen e "një marrëveshjeje përfundimtare" ishte një mënyrë për pranimin e Koresë së Veriut si një "shtet strategjik global bërthamor".

Kim Jong Un citohet të ketë thënë se do ta përdorte takimin "për të konsoliduar më tej fuqinë bërthamore që kemi krijuar".

Samiti i Hanoit dështoi të arrijë një marrëveshje për shkak të një përplasjeje të pikëpamjeve mbi çarmatosjen bërthamore dhe lehtësimin e sanksioneve.

Në përgjigje të dokumentit që Zëri i Amerikës siguroi të dielën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha të hënën Shërbimit në gjuhën koreane të Zërit të Amerikës se "Presidenti Trump mbetet i angazhuar ndaj synimeve që të dy udhëheqësit vendosën në samitin e Singaporit për të transformuar marrëdhëniet mes Shteteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, dhe për çarmatimin e plotë bërthamor."

U.S. President Donald Trump and North Korea's leader Kim Jong Un meet during the second U.S.-North Korea summit at the Sofitel Legend Metropole hotel in Hanoi, Feb. 28, 2019.
U.S. President Donald Trump and North Korea's leader Kim Jong Un meet during the second U.S.-North Korea summit at the Sofitel Legend Metropole hotel in Hanoi, Feb. 28, 2019.

Zëdhënësi theksoi se, "siç tha Presidenti Trump, ai beson se Kryetari Kim do të përmbushë angazhimin e tij për çarmatim bërthamor."

Morgan Ortagus, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, e përsëriti këtë qëndrim më vonë gjatë ditës kur u pyet për dokumentin në një konferencë shtypi. "Sigurisht që nuk komentojmë dhe spekulojmë për çdo raport", tha ajo. "Por meqë më pyete, Presidenti Trump dhe Sekretari (i Shtetit) besojnë se Kryetari Kim do të përmbushë angazhimin e tij për çarmatim bërthamor dhe kjo vazhdon të mbetet politika jonë."

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka thënë në mënyrë të përsëritur se është "i bindur" se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë një përparim drejt çarmatosjes bërthamore të Koresë së Veriut.

Sekretari Pompeo gjithashtu tha se Kim Jong Un i ka thënë atij "personalisht" gjatë një takimi kokë më kokë se ai do të largonte armët bërthamore nga Koreja e Veriut.

Former North Korean official Ri Jong Ho speaks to VOA's Korean Service.
Former North Korean official Ri Jong Ho speaks to VOA's Korean Service.

Në një intervistë të transmetuar të dielën, kur gazetari George Stephanopoulos i kanalit ABC e pyeti zotin Trump nëse ai mendonte se Kim Jong Uni vazhdon të prodhojë armë bërthamore, presidenti tha, "Nuk e di. Shpresoj që jo. Ai më premtoi se nuk do ta bënte këtë."

Dokumenti konfidencial sugjeron se Kim Jong Uni ka bërë dy deklarata të ndryshme mbi politikën bërthamore. Njëra, që nuk ishte e përfshirë në dokument dhe që ishte për audiencat e huaja, si ajo që Kim Jong Un bëri në mesazhin e Vitit të Ri 2019, ku përmendej angazhimi i palëkundur për çarmatosje të plotë bërthamore të Gadishullit Korean.

Elitës ushtarake, sipas dokumentit, i është thënë në dhjetor se Kim Jong Un synonte që në takimin e tij të dytë me Presidentin Trump "të arrinte rezultatin përfundimtar të ngritjes së statusit [të Koresë së Veriut] si një fuqi bërthamore e klasit botëror".

Udhëheqësi koreanoverior më tej kishte thënë se "Ushtria Popullore e Koresë duhet të mbajë fort armët bërthamore [si] shpatën tonë të sigurisë për të mbrojtur udhëheqjen revolucionare si një fortesë e padëpërtueshme".

Kim më tej ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë "aq të tmerruara nga fuqia jonë bërthamore", sa që kanë propozuar zhvillimin e një takimi me Korenë e Veriut për të negociuar dhe "për të hequr qafe armët tona bërthamore me çdo kusht".

I botuar nga kompania botuese e Partisë Punëtore të Koresë në nëntor të vitit 2018, dokumenti u përgatit si material për ligjëratat e trajnimit të muajit dhjetor për zyrtarët më të lartë ushtarakë të Koresë së Veriut.

Ministria koreanojugore e Bashkimit, e cila mbikëqyr marrëdhëniet me Korenë e Veriut, tha se është në dijeni të raportit të siguruar nga Zëri i Amerikës dhe se autenticiteti i saj duhet të verifikohet.

Cheong Seong-chang, ekspert i Koresë së Veriut në Institutin Sejong në Seul, tha se dokumentit i mungonin elementët kyç dhe se formati i datës nuk është standard, sipas agjencisë koreane të lajmeve Newsis, njofton UPI.

Dokumentet e siguruara nga Zëri i Amerikës përputhen me dokumentet e tjera të fundit që u janë dhënë Shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën Koreane nga një burim i besuar.

Në një intervistë me Shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën koreane, të dielën, Ri Jong Ho, një ish-zyrtar i lartë i Koresë së Veriut, i cili u arratis në Korenë e Jugut në vitin 2014 dhe në vitin 2016 u zhvendos në Shtetet e Bashkaura, tha se ai ka ndjekur ligjërata të ngjashme me ato të përmendura në dokument.

Ri tha se, "Dokumenti reflekton drejtpërsëdrejti mendimet e Kim Jong Un-it dhe ideologjinë e Partisë Punëtore të Koresë, sepse ajo është botuar nga Partia."

Zoti Ri tha gjithashtu se ai ka mësuar nëpërmjet burimeve të tij në Korenë e Veriut se qeveria po e përforcon përpjekjet e shndërrimit të Koresë së Veriut në një shtet bërthamor, që është politika kryesore e Partisë Punëtore.

Dokumenti përshkruan aspiratën e Kim Jong Un-it për të sunduar botën me armë bërthamore.

"Komandanti i dashur suprem do të mbizotërojë botën me armë bërthamore, do të detyrojë Shtetet e Bashkuara të kërkojnë falje dhe të ofrojnë kompensim për dekada të tëra të ngacmimit të popullit tonë dhe do të deklarojë për të gjithë botën se rendi i fuqishëm i botës do të riformohet nga Juche-Koreja, jo Shtetet e Bashkuara", thuhet në dokument. Juche është ideologjia e Koresë së Veriut për varësi të plotë në veten e saj.

Ri, i cili tani jeton në Virxhinia, ka punuar për Zyrën 39 të Koresë së Veriut, operacionin e Partisë Punëtore të njohur për mbledhjen e parave për Kim Jong Un-in përmes aktiviteteve të paligjshme.

Zoti Ri dezertoi në Korenë e Jugut në vitin 2014, nga frika se familja e tij mund të vihet në shënjestër pasi Kim Jong Un ekzekutoi xhaxhain e tij Jang Song Thaek për tradhëti dhe hoqi nga puna njerëzit që punonin për zotin Jang. Ri ishte i shqetësuar se familja e tij mund të pësonte të njëtën gjë dhe u arratis në Korenë e Jugut me familjen e tij para se të shkonte në Shtetet e Bashkaura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG