Lidhje

Koreja e Veriut hedh dy raketa  me rreze të shkurtër


Ushtria e Koresë së Jugut thotë se Koreja e Veriut duket se ka lëshuar dy raketa me rreze të shkurtër. Kjo është hera e dytë brenda një jave që Pheniani ka hedhur raketa. Provat me raketa rrezikojnë edhe më tej bisedimet bërthamore mes udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un dhe Presidentit Trump.

Shtabi i ushtrisë së Koresë së Jugut informoi se raketat u lëshuan nga provinca e Pjonganit Verior, në veriperëndim të vendit dhe fluturuan drejt lindjes.

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in po i bën thirrje Koresë së Veriut të ndalë hedhjen e raketave, të cilat ai thotë se vështirësojnë përpjekjet diplomatike për çnuklearizimin e gadishullit korean.

“Nuk e konsiderojmë shkelje të marrëveshjes ndër-koreane. Megjithatë, do të doja ta paralajmëroja Korenë e Veriut se nëse përsërit veprime të tilla, mund t’i vështirësojë bisedimet dhe negociatat që janë duke u zhvilluar”, tha Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in.

Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se askush nuk është i kënaqur me lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.

“Askush nuk u gëzua, por po e shqyrtojmë dhe do të shohim. Marrëdhënia vazhdon, por do të shohim ç’do të ndodhë. E di që duan të negociojnë. Flasin për negocim, por nuk mendoj se janë gati për të negociuar”, tha Presidenti Trump.

Testimet rrezikojnë edhe më tej bisedimet bërthamore mes udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un dhe Presidentit Trump. Koreja e Veriut kërkon që Shtetet e Bashkuara të lehtësojnë sanksionet, në shkëmbim të ndërmarrjes së hapave për çnuklearizimin. Presidenti Trump thotë se ai nuk do t’i lehtësojë sanksionet, derisa udhëheqësi koreanoverior të zotohet se do të braktisë të gjithë arsenalin bërthamor të vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG