Lidhje

Koreja e Veriut lëshon tjetër raketë balistike


Koreja e Veriut tha se e ka kryer me sukses provën e një rakete balistike ndërkontinentale e cila mund të arrijë Shtetet e Bashkuara.

Regjimi e shpalli këtë njoftim në televizionin shtetëror të mërkurën herët në mëngjes. Në njoftim thuhet se pas ndjekjes së lëshimit të suksesshëm të raketës Hwasong-15, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un "deklaroi me krenari se tash e kemi përfunduar realizimin e kauzës së madhe historike për të kompletuar forcën bërthamore të shtetit”.

Fluturimi 53 minutësh i Hwasong-15, filloi në zonën e lëshimit në Sang Ni, në veri të kryeqytetit Phenian. Veriu tha se raketa arriti lartësinë maksimale prej 4,475 kilometrash dhe fluturoi 950 kilometra para se të binte në Detin e Japonisë, në zonën ekskluzive ekonomike japoneze, që është territor sovran japonez.

Disa orë pas provës, presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se "kjo është një situatë me të cilën do të përballemi”, por pa dhënë hollësi. Ai tha se qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut, nuk ka ndryshuar.

Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha se kjo raketë fluturoi me lart dhe më larg sesa cilado raketë e provuar më parë nga Koreja e Veriut. Ai e cilësoi këtë si pjesë të përpjekjeve të Koresë së Veriut për të ndërtuar raketa që mund “të kërcënojnë cilëndo pjesë të botës”. Sekretari Mattis tha se Koreja e Veriut është rrezik për paqen në botë.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, bëri thirrje për një takim emergjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe u zotua për të mbrojtur popullin japonez. "Ne nuk mund ta pranojmë këtë dhunë dhe kemi protestuar ashpër ndaj Koresë së Veriut”, u tha ai gazetarëve.

Këshilli i Sigurimit do të mblidhet të mërkurën.

Presidenti Trump bisedoi me telefon me kryeministrin Abe. Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit u pajtuan që veprimet e Koresë së Veriut e dëmtojnë vetë sigurinë e saj dhe e izolojnë më tej atë nga komuniteti ndërkombëtar.

Presidenti Trump bisedoi edhe me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in me të cilën u pajtuan se lëshimi i raketave të Koresë së Veriut është kërcënim serioz jo vetëm për Korenë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe për gjithë botën.

Ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Matthew Rycroft, e cilësoi lëshimin e raketës si “një akt të pamatur të regjimit që është më i përqendruar në ngritjen e raketave balistike dhe të mundësive bërthamore sesa në përkujdesjen ndaj qytetarëve të tij”.

Kjo ishte prova e parë e Koresë së Veriut që nga muaji shtator dhe e para që kur Shtetet e Bashkuara e vendosën Veriun në listën e shteteve që sponsorojnë terrorizmin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG